Del Piero: Calciopoli, burimi i të gjitha këqijave në futbollin italian!

Origjina e të gjitha të këqijave të futbollit të sotëm italian është Calciopoli. Për një emër të madh si Alessandro Del Piero, rënia e Kombëtares Italiane në minimumin historik, duhet lidhur me atë që ndodhi në 2006-ën. Skandali i Calciopolit, vetëm pak muaj pas triumfit të “të kaltërve” në finalen e Kupës së Botës në Berlin, shënoi rrokullisjen e futbollit në Itali, që kulmoi me eliminimin në play off-in e Botërorit nga Suedia.
“Calciopoli erdhi si një bombë atomike. Që nga ai moment kampionët më të mëdhenj të futbollit u larguan në kampionate të tjera të mëdha në Europë. Nuk është e rastësishme që të tjerët u rritën në mënyrë eksponenciale. Me Italinë ndodhi e kundërta, ne u fundosëm”, u shpreh Del Piero.
Diferenca, sipas Del Pieros ndihet në përplasjet ndërkombëtare. “Premier League shpërtheu falë aftësisë drejtuesve të futbollit anglez në shitjen e markës së tyre, duke siguruar kontrata të majme për të drejtat televizive. Reali dhe Barcelona ndoqën politikat e tyre, ndërsa Gjermania përfundoi një rrugëtim të nisur që kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës së vitit 2006. Edhe në Francë mbërritën investitorë të fuqishëm të huaj. Italia, përkundrazi, u fundos!”, tha ai.
Italia është në kërkim të një emri të njohur për stolin pas shkarkimit të Gian Piero Venturës, i cili nuk arriti ta kualifikonte dot përfaqësuen e kaltër në Botërorin, Rusi 2018. Reputacioni i Italisë pas eliminimit nga Suedia në Play-off ka rënë aq poshtë saqë asnjë trajner me emër të madh nuk dëshiron të ulet në stolin e kombëtares 4-herë kampione bote. I fundit që ka refuzuar stolin e Italisë është Claudio Ranieri trajneri që bëri mrekullinë, duke shpallur Leicester City, kampione të Anglisë dhe që aktualisht është në drejtimin e skuadrës franceze të Nantes. I pyetur nga gazetarët për një kalim të mundshëm në Coverciano për të marrë drejtimin e Italisë, Rainieri deklaroi: “Mendoj se do të marrin një tjetër trajner. Unë ndihem mirë këtu dhe mendoj vetëm për eksperiencën te Nantes”.

Artikulli paraprakDështoi me Italinë, gati stoli i Premier League
Artikulli tjetërBalili ka video përgjimet e Ramës dhe tre ministrave të tij në Santa Quaranta