Ministria e Punëve të Jashtme e qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vendet e caktuara që tashmë e kanë njohur atë? Në këtë pyetje, me shkrim është përgjigjur për Radion “Evropa e Lirë”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”. “Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët”, ka thënë ambasadori Delawie. Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se, “tërheqja e njohjes” së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit. “Ne nuk kemi kurrfarë konfirmimi zyrtar nga shteti i Surinamit dhe as nga përfaqësuesit e këtij shteti në Uashington apo Nju Jork, për një veprim të tillë. Kështu që, përderisa nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar, për ne ngelet vetëm një tendencë e Serbisë për të përfituar për nevoja të tyre politike. Por, të them të drejtën, këto përpjekje nuk i trajtojmë shumë seriozisht. Ne e shikojmë punën tonë dhe kemi agjendën tonë në fuqizimin e bërjes së shtetit”, ka thënë Zyberaj. Të martën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediat në Beograd se qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se, “e ka tërhequr njohjen” e pavarësisë së Kosovës. Ai madje mediave u ka prezantuar një dokument, me të cilin, sipas Daçiqit, Republika e Surinamit e njofton Ministrinë e Jashtme të Serbisë, por edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, se e “ka tërhequr njohjen për Kosovën”. Një dokument i tillë eventual, në adresën e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur. Deri më tash, qeveria e Surinamit, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike, për të sqaruar nëse ka tërhequr ose jo njohjen për Kosovën. Kërkesën për një sqarim të tillë e ka bërë edhe analisti dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah. “Thirrje Qeverisë së Surinamit… a mund ta konfirmoni se keni tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar Judah, të martën, në rrjetin social Twitter.
Kryesore
Continue to the categoryTë jesh me njerëzit, nuk ka fuqi që të ndalë të...
Nga Mirela Karabina
Të jesh me njerëzit, për njerëzit dhe tek njerëzit nuk ka fuqi që ta ndalë të drejtën.
Ky ishte sot vendimi i Gjykatës...