Delegacioni i BE-së: Pavarësia e SPAK, thelbësore për shtetin e së drejtës në Shqipëri

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Delegacioni i Bashkimit Evropian ka nënvizuar rëndësinë e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si një element kyç për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Si rrallë herë, që pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, SPAK dhe prokurorë të posaçëm janë vënë nën akuzë jo vetëm nga personat e proceduar penalisht por dhe nga kryeministri Edi Rama.

Arrestimi i Veliajt shënoi fundin e epokës në të cilën Kryeministri Rama nuk do komentonte vendimet e Prokurorisë si dhe u shoqërua për herë të parë me mosreagimin e Policisë së Shtetit kur gjykata u rrethua nga “simpatizantë” gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë më 12 shkurt 2025.

Në një reagim për “shteg.org”, Delegacioni i BE-së thekson se hetimet dhe ndjekjet penale të SPAK duhet të zhvillohen pa ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, duke mbështetur kështu pavarësinë e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim”, – thuhet në deklaratën e bërë publike nga zyra e shtypit e Delegacionit të BE-së për “shteg.org”.

Delegacioni rithekson mbështetjen për SPAK dhe pavarësinë e tij, duke e konsideruar atë si një shtyllë kryesore të Reformës në Drejtësi dhe të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.” – thuhet në deklaratë.

Delegacioni i BE-së gjithashtu vë theksin tek rëndësia e vazhdimit të Reformës në Drejtësi dhe forcimit të institucioneve të pavarura, duke kërkuar përputhshmërinë e tyre me standardet evropiane si në sektorin e drejtësisë ashtu edhe në atë të zbatimit të ligjit.

“BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.”.

Në lidhje me shqetësimet për sigurinë e mjediseve dhe personelit të SPAK, Delegacioni i BE-së informon se ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, e ka ngritur këtë çështje gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm.

“Ambasadori ka marrë garanci se mbrojtja e SPAK dhe siguria e magjistratëve dhe stafit të tij do të garantohen në çdo rrethanë” – thuhet në deklaratën që “shteg.org” mori nga zyra e shtypit të Delegacionit.

Shteti kundër shtetit

Mbështetësit e Veliajt në protestën para Gjykatës së Posaçme
Credits: LSA – Mbështetësit e Veliajt në protestën para Gjykatës së Posaçme

Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka krijuar një përplasje të fortë mes Prokurorisë, Gjykatës së Posaçme dhe Policisë së Shtetit.

Të premten, përmes dy njoftimeve, Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme denoncuan publikisht dështimin e Policisë së Shtetit që nuk mori masa të mjaftueshme sigurie gjatë procesit gjyqësor, ku mbështetës të Veliajt rrethuan institucionin, pas arrestimit të tij më 12 shkurt 2025.

Kërkesat e përsëritura të punonjësve të Gardës së Republikës për të siguruar perimetrin e jashtëm të godinës mbetën të injoruara, duke vënë në rrezik jetën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë punonjësve të administratës gjyqësore.

Situata e paprecedentë ndodhi të mërkurën, kur mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste u mblodhën që në orët e para të mëngjesit rreth Gjykatës së Posaçme në shenjë proteste për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Pas përfundimit të seancës, protestuesit u filmuan teksa kishin rrethuar makinat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe thërrisnin në kor “Turp”.

Protestuesit kanë penguar gjykatësit të dalin në ambientet rrethuese të gjykatës, madje kur kanë tentuar të dalin, automjetet e tyre janë goditur ndërkohë që ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve u janë drejtuar me sharje dhe ofendime.

Pas 24 orësh nga arrestimi i Veliajt, Kryeministri reagoi në rubrikën “Sy m’sy” në rrjetet e tij sociale, ku ndër të tjera cilësoi hetimet që çuan në vendimin e Prokurorisë së Posaçme si të nisur nga një novelë anonime, që ka pjellë një novele me 400 faqe.

“Do të mundohemi të krijojmë opinion të konsoliduar për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqë kokën nga shpatullat Bashkisë së Tiranës. Duke e lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë, pa gjyq. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë anonime, që ka pjellë një roman me 400 faqe ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur në pikën që dhe një nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim,” – u shpreh më 11 shkurt 2025 Kryeministri Edi Rama.

 

 

Artikulli paraprak“Na kanë nxjerrë jashtë”, terrori në Medvegjë ndaj shqiptarëve, e moshuara: 3 herë erdhi policia natën e Bajramit…
Artikulli tjetërLëng limoni dhe kripë, si të largoni dhimbjen e fortë të kokës në pak minuta