“Delja e zezë” e frikës sonë!

Nga Agim Baçi

Në tregimin e tij “Delja e zezë”, shkrimtari dhe esteti i famshëm italian, Italo Calvino, na sjell historinë e një njeriu të ndershëm që shkoi të jetonte në një fshat hajdutësh.

Ndërkohë që i gjithë fshati vidhte njëri-tjetrin, njeriu i ndershëm qëndronte në shtëpi e lexonte duke “penguar” natyrshmërinë e fshatit.

I detyruar nga ky zakon i fshatit, njeriu i ndershëm bën një sakrificë për t’i dhënë vetes mundësi që të jetojë në atë fshat- del natën në shëtitje tek ura e ndjek rrjedhën e lumit, duke lënë hajdutët “të bënin punë e tyre” edhe në shtëpinë e tij.

Ky zakon iu duk shumë i mirë atyre që kishin vjedhur më shumë në vite e vite, ndaj nisën ta shoqëronin në xhiron e tij tek ura njeriun që nuk vidhte.

Por, të frikësuar se mund të përfundonin si ai nëse nuk vazhdonin të vidhnin, ata nisën të paguanin disa të varfër që vidhnin për to, e më pas të tjerë të varfër që të ruanin pasuritë e tyre.

Njeriu i ndershëm që u mësoi shëtitjen hajdutëve të pasur e la këtë botë i sulmuar nga uria, ndërkohë që shëtitësit shijonin dhe ruanin pasurinë e tyre, me atë model që mund të konsiderohej më vonë edhe si krijimi i policisë dhe burgjeve, domethënë i shtetit.

“Ata ndaluan më pas së foluri në publik për vjedhjen edhe pse nuk hoqën dorë nga ai ves”, shkruan Calvino.

Fshati i Calvinos fatkeqësisht është një fshat që duket sikur përsëritet jo vetëm në vende e gjuhë të ndryshme, por edhe me të njëtën pamje, duke krijuar bindjen tek shumë njerëz se të jetosh i lirë dhe me dinjitet mund të kesh një jetë të vështirë.

Duket si një fshat që pikturon gjithë konformizmin e sotëm, ku përgjithësisht qytetarët, në vend të protestës kundrejt së keqes, në vend të kundërshtimit të vesit dhe imoralitetit, zgjedhin të vetëfajësohen se përse nuk mundën që të vidhnin diçka në punët e tyre, në lagjet e tyre, në pronën e tjetrit.

Për pasojë, vendin e dinjitetit e zë vetëm aftësia për të qenë sa më i përshtatur me atë që të jepet, duke e shkarkuar veten nga përgjegjësia për të menduar vetë, për të kërkuar ndryshim.

Ky “fshat” mbështetet nga dekurajimi që na kaplon kur shohim se sa të vështirë e kanë ata që duan të thonë të vërtetën e të jetojnë ndershëm.

Qeveritë mbështeten nga industria e manipulimit e cila kërkon të na bindë se askush nga ne mund të ndryshojmë realitetin, se gjithçka është vendosur nga të fortët që nuk i mundim dot.

Dhe ne kështu, përmes dekurajimit që e miratojmë shpesh me heshtjen tonë, ndërtojmë murin e madh të pandjeshmërisë tonë, ku kërkojmë më pas edhe të mbështetetmi, me justifikimin se deri aty mund të arrinim, se nuk mund të shkonim më larg se sa ta thonim me zë të ulët të vërtetën rreth nesh.

Madje, të vërtetat nisim më pas t’i besojmë se ndodhin vetëm nëpër filma, t’i besojmë se kanë ndodhur vetëm dikur larg nesh apo në të shkuarën, dhe se beteja me të keqen është thuajse utopike.

Diktatorët dhe autokratët e kanë patur si art të rëndësishëm dekurajimin dhe bëjnë gjithçka që ky dekurajim të pushtojë komunikimin publik gjatë qeverisjes së tyre.

E nisin këtë art duke zëvendësuar mendimin me bindjen, e më pas me një realitet të ri, të krijuar nga ata që, në vend të ideve, kanë krijuar burgun modern të spektaklit – një burg ku sundon bota e dëshirave dhe e frikës, e cila e ka përzënë prej kohësh nga arena e debatit “delen e zezë”, duke mos e lënë më të jetë pjesë e jona që të na tregojë moralin apo të vërtetën e asaj që ndodh rreth nesh.

Exit mobile version