Në vetëm 18 muaj Ousmane Dembele ka kaluar nga një rezervë në radhët e Rennes në blerjen e dytë më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Pas shumë e shumë tentativash Barcelona arrin më në fund ta shkëpusë lojtarin nga radhët e Borussia Dortmund, por ndihmesën më të madhe katalanasve, në realizimin e këtij operacioni, ua ka dhënë vetë sulmuesi. Në një intervistë të dhënë, talenti 20-vjeçar ka treguar se vendosi të braktiste seancat stërvitore tek verdhezinjtë, në momentin që vuri re se drejtuesit e klubit gjerman nuk e dëshironin largimin e tij. Sipas Dembele kjo ishte mënyra e vetme që ai të largohej nga Borussia Dortmund.
“Në fillim isha i qetë, pasi klubet ishin në fazën e tratativave. E dija që duhet të ruaja qetësinë. Më pas vendosa të mos paraqitesha në stërvitje. Nuk doja të shkoja. Gjithmonë kërkoja një justifikim vetëm për të mos u stërvitur. Nëse kjo marrëveshje nuk do të ishte realizuar, atëherë do të ndihesha keq. Dëshiroja me çdo kusht të firmosja për këtë skuadër”, tha Dembele.
Të zësh vendin e Neymar nuk është e lehtë, por Dembele i ka idetë e qarta përsa i përket kësaj pjese. “Neymar është një prej futbollistëve më të mirë në botë. Unë jam i ri dhe jam këtu për të mësuar gjëra të reja dhe të jap më të mirën time. Objektivi im i parë është të integrohem sa më shpejt me pjesën tjetër të grupit, të përmirësohem çdo ditë e më shumë dhe më pas shpresoj të fitoj sa më shumë tituj”, u shpreh ai.
Talenti 20-vjeçar mund të ishte transferuar sezonin e kaluar tek Barcelona, por preferoi të qëndronte tek Borussia edhe për një tjetër sezon, në mënyrë që të rritej akoma edhe më shumë si futbollist. Në fund të intervistës, francezi u shpreh se admirimi i tij për Messin ka nisur që kur ai ishte 8 vjeç.