Të gjithë do të mbanin mend për flokët e tij të gjata dhe për karrierën e pasur që pati me klube të rëndësishme në Europë, pa harruar këtu kombëtaren argjentinase me të cilën ka zhvilluar në total 51 ndeshje. Në moshën 36-vjeçare, Martin Demichelis, ish-mbrojtësi i Bayern Munich dhe Manchester City-it, ka vendosur t’i thotë stop futbollit të luajtur. Këtë të hënë në një konferencë për shtyp të organizuar nga klubi i Malagas, skuadër tek e cila luan aktualisht, Demichelis ka komunikuar tërheqjen e tij nga futbolli në fund të këtij sezoni”. Për të qenë i sinqertë me veten time, me ekipin, me trajnerin dhe mbi të gjitha me profesionin ka ardhur momenti për të varur këpucët në gozhdë deklaroi, ish-futbollisti i përfaqësues albicelester.
Demichelis, i cili që nga rikthimi i tij te Malaga në janar të 2017-ës, ka luajtur në total vetëm 9 ndeshje, u përshëndet me shokët e skuadrës dhe trajnerin Michel, të cilët ishin të pranishëm në sallën e konferencave për shtyp. 36-vjeçari falenderoi fillimisht River Plate-in, klubi ku u formua si futbollist, por edhe Bayern Munich e Malagan dy skuadrat ku përjetoi vitet më të suksesshme të karrierës së tij. Me Bayernin nga 2003 në 2010, Demichelis fitoi 4 tituj të Bundesligës dhe 4 Kupa të Gjermanisë, ndërsa luajti edhe një finale të Chempionsit atë ndaj Interit në Madrid të cilën, bavarezët e humbën me shifrat 2-0.