Demiraj, apel Policisë për zgjedhjet: Larg çdo veprimtarie të paligjshme

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të zbatojë me përpikmëri ligjin dhe të garantojë procesin zgjedhor si dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë. Përmes një deklaratat për mediat, ai ka përgëzuar operacionet e policisë në Shkodër dhe Vlorë, për parandalimin dhe më pas arrestimin e personave, të cilët kanë tentuar të blinin votat për subjektet e tyre politike. Ministri i Brendshëm, z. Dritan Demiraj përgëzon të gjithë aktorët e përfshirë në këtë fushatë zgjedhore dhe veçanërisht qytetarët shqiptarë për zhvillimin e një fushate të qetë dhe përgjithësisht pa incidente serioze. Ai inkurajon Policinë e Shtetit që të kryejë detyrën ligjore me përgjegjësi dhe përkushtim për garantimin e kushteve të nevojshme për të pasur një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt. Ministri Demiraj përgëzon aksionet e Policisë në Shkodër dhe në Vlorë dhe kërkon nga Policia e Shtetit që të veprojnë në mënyrë më të vendosur ndaj personave të përfshirë në shtit-blerje votash pa diskriminime partiake. Ministri iu bën thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të qëndrojnë larg çdo veprimtarie të paligjshme zgjedhore gjatë ditës së zgjedhjeve. Të zbatojnë me përpikmëri detyrat që iu ngarkon ligji për Policinë e Shtetit, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal. Monitorimi i veprimtarisë së tyre është dhe do të jetë i rreptë deri në përfundim të procesit. Për çdo shkelje të konstatuar masat do të jenë të ashpra për këdo të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Ministri i Punëve të Brendshme, z. Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të barabartë, duke qenë aktiv në denoncimin e shkeljeve ligjore që kanë të bëjnë me përfshirjen e policisë në procesin zgjedhor apo për raste të shitblerjes së votës, intimidimit apo kërcënimit të votuesve dhe veprimeve të tjera të paligjshme. Qytetarët janë të ftuar të denoncojnë në numrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme: 0694137777 (me sms; WhatsApp, Viber). Në numrin e Policisë së Shtetit: 0800 0 129’, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje një takim me koordinatorët e PS, LSI dhe PD në Qarkun e Beratit. Konkretisht, ai u takua me koordinatorin e PS, Blendi Klosi, koordinatorin e LSI, Nasip Naço dhe koordinatorin e PD, Eduart Halimi për të dëgjuar pretendimet në lidhje me procesin zgjedhor dhe udhëzoi Drejtorin e Policisë së Beratit, të marrë masa për parandalimin e shitblerjes së votës dhe mospërfshirjes së efektivëve në proces. Takimet e ministrit Demiraj u zhvilluan në kuadër të takimeve intensive që ka zhvilluar ditët e fundit në në gjithë vendin në funksion të zhvillimit të një procesi të qetë zgjedhor.

Shitblerja e votës, ministri Demiraj: 25 të arrestuar dhe 250 denoncime

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj deklaroi se 25 persona janë arrestuar nën akuzën e shitblerjes së votës, ndërsa ka pasur rreth 250 denoncime. “Sot në mëngjes kemi kapur një person me armë në Lezhë, kemi 25 të arrestuar lidhur me shitblerjen e votës. Kemi 250 denoncime që po hetohen nga Policia e Shtetit”, deklaroi ministri.
Demiraj pohoi se në adresën e tij personale kanë ardhur shumë denoncime, ku disa prej tyre kanë qenë të vlefshme. Ai theksoi se të gjitha rasteve të denoncimit po i kushtohet rëndësi e veçantë, në të gjitha rastet denoncuesit po telefonohen dhe po kryhen hetimet.
“Ka me qindra. Disa janë të sakta, disa jo. Do duhet të kishim mijëra policë në dispozicion. Të gjitha denoncimet që kanë ardhur në adresën time janë marrë në telefon dhe po bëhen hetimet”, u shpreh ministri në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”.
Ministri Demiraj pohoi se ministria që drejton dhe Policia e Shtetit po bashkëpunojnë sa i takon hetimeve për krimet elektorale, ndërsa masat në drejtimin e sigurisë janë marrë nga Ministria e Mbrojtjes.

Artikulli paraprakSovrani në timon, ora e hakmarrjes ndaj mashtrimeve
Artikulli tjetërPrefekti i Kukësit ndan para në këmbim të votës