Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj priti në një takim dje kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt me të cilin biseduan rreth plotësimit të standardeve të larta në procesin zgjedhor.
Gjatë bisedës, Borchardt informoi ministrin Demiraj për angazhimin e plotë të Prezencës së OSBE-së në Tiranë për monitorimin e zgjedhjeve dhe veçanërisht të aspekteve të financimit të fushatës zgjedhore.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm u përqendrua tek prioriteti i tij i parë, garantimin e një procesi zgjedhor të qetë, mos përfshirjen e Policisë në proces, si dhe neutralizimin e mundësisë së blerjes së votës nga burime të paqarta.
Ministri Demiraj theksoi se, axhenda e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit është lufta pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike përmes kontrollit të territorit dhe goditjes së grupeve të strukturuara kriminale.