Demiraj: Tre shefat e komisariateve që bënë fushatë nuk i shkarkon Çako

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj në një intervistë për “Ora News” tregoi zonat më të “nxehta” ku ka pasur incidente gjatë fushatës elektorale. Demiraj u shpreh se, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako nuk ka shkarkuar ende 3 shefat e komisariateve që bënë fushatë për PS-në.

-A ka patur incidente në fushatën zgjedhore dhe çfarë masash janë marrë nga policia?
Ministria e Brendshme dhe Policia është e angazhuar maksimalisht. Tashmë në ditët e fundit, temperatura politike ngrihet maksimalisht. Ju e dini që ka pasur disa incidente dhe ne po punojmë të kapim autorët që i shkaktojnë në mënyrë që të zbatohet sa më shumë ligji. Që nga momenti që kam marrë detyrën kam vizituar mbi 85 drejtori të qarqeve me qëllim bashkërendimin e punës sa më mirë, me qëllim jo vetëm të mbarëvajtjes së punës për zgjedhjet, por edhe prioritetin e qeverisë në luftën kundër kanabisit.
Policia e Shtetit ka identifikuar disa zona më problematike. Kemi pasur disa probleme në Pukë midis PS dhe LSI, në Lezhë, në Elbasan. PD ka pasur probleme në Berat sot. Kemi pasur rreth 19 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira, ku janë përfshirë 45 persona. Pesë janë arrestuar, 36 ndiqen në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim.

-Ç’mund të thoni për shkarkimin e tre shefave të komisariateve në Pukë, Peshkopi dhe Gramsh?
Unë i kam bërë një propozim drejtorit të Policisë së Shtetit për shkarkimin e këtyre shefave të komisariateve, pasi në mënyrë të vazhdueshme kam pasur njoftime, kam pasur fakte në lidhje me përfshirjen e tyre në fushatën zgjedhore në mbështetje të subjektit të Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, kjo ka qenë arsyeja kryesore që Ministria e Brendshme të organizojë disa takime në Qarqe me qëllim që të bëjmë të qartë që ashpërsia e ligjit, e vështirëson dhe rrit ndjeshëm dënimet për punonjësit e policisë që përfshihen në fushatë. Jemi duke identifikuar të gjithë personat që nga niveli i drejtorëve të Qarqeve dhe që në momentin kur do të bëjmë analizën, secili që është përfshirë do të përballen me forcën e ligjit.
Nuk janë shkarkuar, pasi drejtori i Policisë së Shtetit nuk e ka parë të arsyeshme. Jemi në procesin e identifikimit të provave dhe pastaj padyshim që nuk ka asnjë lloj arsye që të mos bëj shkarkimin e tyre. Kemi pasur disa raportime për Pukën, që po mbështet subjektin PS në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë. Po kështu edhe në Komisaratin e Peshkopisë. Jemi duke monitoruar çdo rast.

-Shitblerja e votës
E vërteta e denoncimeve që kanë ardhur në adresën time janë rreth 137 raste. Le t’ia lëmë kohës dhe sa nga rastet do të zbulohen nga Policia. Janë në proces hetimi. Kanë qenë në Korçë, Elbasan dhe në Dibër.

-Masat për zgjedhjet
Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Janë dy sete urdhrash, e para për mbarëvajtjen e procesit zgjedhore si shitblerja e votës dhe e dyta, në rast se kemi aktivizim të grupeve kriminale. Policia e Shtetit ka përforcuar masat ku mund të kemi incidente.

-Zonat më vunerable
Elbasani, Lezha, Dibra edhe Shkodra. Informacionet nuk mund t’i ndaj këtu, pasi lidhem e sigurinë e efektivëve dhe mbarëvajtjen e hetimeve.

-Persona nën vëzhgim
Sigurisht që kemi dhe jemi të vetëdijshëm. Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Policia e Shtetit nuk mban në mbikëqyrje ata që paraqesin rrezikshmëri jo vetëm për zgjedhjet, por edhe në prioritetet në luftën kundër terrorizmit, kanabisit, kundër trafikut. Policia e Shtetit është e mobilizuar për të gjitha këto.

-Rrezik për sulme terroriste?
Jo! Besoj që jo! Këtë 1 muaj që kam qenë në Policinë e Shtetit kam parë struktura që nga komisariatet, strukturat, Policia e Shtetit është në rrugën e duhur.

-Luftë pa kompromis ndaj trafikut të kanabisit drejt vendeve fqinj…
Unë si përfaqësues i Republikës së re i propozuar nga zoti Basha, por edhe në vijimësi nga prioritetet e qeverisë Rama, jam i angazhuar me të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, për luftë pa kompromis dhe në zero tolerancë kundra kanabisit. Kam gjetur një bashkëpunim të shkëlqyer në Policinë e Shtetit. Puna e zotit Xhafaj ka qenë e shquar në këtë drejtim. Ai filloi një punë që ne po e vazhdojmë. Unë mund të them për zotin Xhafaj, pasi masat dhe ndërrimet e drejtuesve të Policisë që për hir të së vërtetës që duhen ndërruar edhe disa drejtues të tjerë. Një pjesë e madhe e tyre është ndërruar. Jemi duke i identifikuar. Kemi edhe disa persona të caktuar që gjykoj që kanë qenë pjesë e policisë në vitet e shkuara. Si pjesëmarrës në trafik me veprimet ose mosveprimet e tyre. Më duhet të theksoj që lufta kundër drogës dhe terrorizmit në asnjë mënyrë nuk mund të realizohet vetëm nga Ministria e Brendshme.

-Puna 1 mujore
Kemi ushtruar presion të lartë në dogana në bashkëpunim me ministren e Financave, zonja Vukaj. Kemi vizituar të gjitha doganat dhe kemi bërë të qartë; zero tolerancë për të gjitha rastet e kalimit. Kemi pasur shumë raste të hapjes së kanabisit.

-Ju po thoni që gjatë kësaj kohe nuk është trafikuar kanabis jashtë vendit?
Jo nuk është trafikuar, nuk është raportuar. Ka pasur vetëm lëvizje brenda Italisë dhe Greqisë të sasive të transportuara më përpara.

-Kjo është një arritje?
Them që kjo është një nga arritjet e mëdha, por nuk jam i kënaqur. Gjej rastin të falënderoj Policinë e Shtetit. Ka një angazhim fantastik në këtë drejtim dhe rezultatet janë shumë të mira. Çdo gjë që identifikohet, asgjësohet. Kemi disa zona shumë të vogla që javës që vjen, dhe dy tre raste që janë identifikuar, të vetmen. Është monitoruar zona e Krujës, janë pastruar plotësisht. Zona e Vlorës, Tepelenës dhe gjithë pjesët e tjera të Shqipërisë. Më lejoni të tregoj se nuk është e lehtë. Nuk janë të aksesueshme shumë zona, por jemi në drejtimin e duhur. Është e mundur të minimizohet në formë sa të mos jetë problem për fqinjët. Jam i vendosur të vazhdoj pastrimin e personave që janë angazhuar në trafikun e kanabisit.

-A e ka luftuar qeveria Rama kanabisin?
Në cilën periudhë?

-Në të gjitha periudhën?
Sigurisht që jo. Në mënyrë të sinqertë, unë mendoj që nga marrja e drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga ministri Xhafaj ka pasur një frymë tjetër që nga ndërrimi i drejtorëve të qarqeve, të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë punë. Ju e dini që ka pasur me dhjetëra raste. Kemi pasur arrestime dhe vetë zoti Xhafaj e ka pranuar këtë fakt. Unë shoh shumë shpresë tek sistemi i ri i arsimimit.

Artikulli paraprakTahiri dhe policia blejnë votat në Vorë, ja skema
Artikulli tjetërEdhe 48 orë, Basha mesazh qytetarëve për votim masiv