DEMOKRACI pa garë në universitete! Shumica e kandidatëve as fushatë dhe as kundërshtarë, në rrethe ka më shumë rivalitet

Pa fushatë universitetet publike pritet të zgjedhin drejtuesit e rinj. Në Tiranë nga 6 institucione të arsimit të lartë, vetëm në Universitetin e Arteve do të pritet me kureshtje votimi më 21 qershor se kush do të fitojë mes Artan Peqinit dhe Erald Bakallit.

Më 27 maj, gati një javë pas afateve ligjore për nisjen e fushatës për organet drejtuese universitare, Akli Fundo zv rektori i universitetit politeknik hyn i vetëm në zgjedhjet për drejtimin e universitetit Politeknik të Tiranës, pasi rektori aktual Andrea Maliqari nuk ka të drejtë rikandidimi.

Edhe rektori i Mjekësisë Arben Gjata, nuk mund të rizgjidhet, por Xheladin Draçini pas dy mandatesh si Dekan i Fakultetit të Mjekësisë do të jetë në krye të institucionit të arsimit të lartë shëndetësor pasi është i vetëm në procesin zgjedhor. Ai ka zgjedhur që të krijojë një profil online për të prezantuar veten..

Fitoren e një mandati të dytë e ka të sigurtë pavarësisht numrit të votave edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i cili në zgjedhjet e këtij viti nuk ka kundërshtar; ndryshe nga gara e fortë e katër viteve më parë me Mynyr Konin.

Gjithashtu në universitetin Bujqësor do të shërbejë për 4 vite të tjera Fatbardh Sallaku, sepse nuk ka një kandidat të dytë aspirant. E njëjtë paraqitet situata edhe në universitetin e sporteve, ku rikandidon i vetëm Agron Kasa.

Zgjedhjet duket se janë më funksionale në rrethet e Shqipërisë. Në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës dhe në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë ka nga katër akademik në garë, teksa largohen rektorët aktual Roland Zisi dhe Kseanela Sotirofski, pasi kanë plotësuar dy mandate. Me 3 kandidatë ka garë universiteti Fan Noli në Korçë. Universiteti Luigj Gurakuqi në Shkodër ka një përballje për karrigen e rektorit mes drejtueses aktuale Rajmonda Këçirës që kërkon një mandat të dytë, si dhe rivalizohet nga akademiku i njohur Tonin Gjuraj dhe Nertila Ljarja.

Ndërsa problematika shfaqet në Universitetin Aleksandër Xhuvani largohet Skënder Topi nga rektorati dhe kandidon zv rektorja Elvira Fetahu, teksa nuk është pranuar nga komisioni zgjedhor kandidatura e Majlinda Perriu, e cila ka hequr dorë nga detyra si prefekte e qarkut të Elbasanit, për këtë aspiratë dhe që e quan vendimin e përjashtimit të paligjshëm dhe fitoren e paracaktuar pa garë. Si dhe në universitetin Eqrem çabej në Gjirokastër ka vetëm një kandidaturë për rektor, ajo e zv rektorit Jango Canaj.

Artikulli paraprakVOA: Partia katalanase Junts i kërkon Spanjës njohjen e Kosovës
Artikulli tjetërPatriotizmi, streha e fundit e korrupsionit