Demokracia hibride që ofron Rama 4.0, një rrezik edhe për BE

Nga Mehmet Gökhan Tuncer

Numërimi i votave përfundoi 9 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Rezultati ishte i qartë: fituese ishte Partia Socialiste e udhëhequr nga Edi Rama. Ajo arriti jo vetëm të ruante pozicionin e saj, por e zgjeroi ndjeshëm atë, duke u rritur nga 48.5 në mbi 52 për qind të votave dhe marrë 83 nga 74 vende që kishte në parlamentin shqiptar me 140 deputetë. Ky rezultat, i  siguron një mandat të katërt kryeministrit Edi Rama, që e qeveris vendin që nga viti 2013.

Dobësia e opozitës dhe instrumentalizimi i pushtetit

Suksesi i Ramës, u bazua kryesisht tek dobësia dhe përçarja e opozitës. Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike, e cila pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 u zhyt në një krizë të thellë të brendshme dhe u nda në fraksione rivale, garoi këtë herë nën drejtimin e ish-kryeministrit dhe presidentit Sali Berisha, duke pësuar një humbje të rëndë.

Ajo mori vetëm 34 për qind të votave – nga gati 40 për qind 4 vite më parë – dhe në parlament zbriti nga 59 në 50 vende. Ky rezultat, nxori në pah kufijtë e strategjisë së bojkotit nga ana e Berishës dhe e retorikës së tij gjithnjë e më nacionaliste dhe populiste. Duke shpresuar për një fitore, ai ndoqi axhendën e “Shqipërisë Madhështore” nën këshillat e menaxherit të fushatës së Donald Trump.

Por pritshmëritë nuk i përmbushën as partitë e vogla të sapoformuara. Edhe pse ato paraqitën në këto zgjedhje me fytyra të reja, kauza lokale, dhe synonin të ishin një alternativë ndaj elitës së vjetër politike, nuk mundën të shkëputeshin nga modeli tradicional i politikës shqiptare: përdorimi i angazhimit qytetar, si një mjet për profilizimin personal politik.

Ato nuk kishin themele të gjera programatike dhe struktura të brendshme të qëndrueshme. Ndaj dështuan të bindnin votuesit, se përfaqësonin më shumë sesa vetëm disa individë të arsimuar dhe të përkushtuar, duke e përdorur shoqërinë civile si një trampolinë, gjë që shpesh sjell asimilim nga strukturat ekzistuese të pushtetit dhe në fund të fundit përforcimin e status quo-së.

Siç e vunë në dukje vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të udhëhequr nga OSBE “keqpërdorimi i burimeve publike dhe i pushtetit institucional nga partia në pushtet”, luajti gjithashtu një rol në avantazhin elektoral të Edi Ramës.

Evropa si një premtim fushate

Megjithatë, faktori kyç në suksesin e jashtëzakonshëm të Ramës, ishte instinkti i tij politik për dëshirën më të fortë të shqiptarëve në vend dhe në diasporë: anëtarësimin në BE. Mbi 90 për qind e popullsisë e mbështet anëtarësimin në BE – shkalla më e lartë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë sfond, Edi Rama e përqendroi fushatën e tij tek procesi i integrimit të vendit në BE.

Në një peizazh politik shpesh të karakterizuar nga skepticizmi dhe ndasitë partiake, ai arriti të mbledhë një shumicë të gjerë qytetare përtej vijave tradicionale partiake. Rama i paraqiti zgjedhjet si një moment përcaktues, duke premtuar anëtarësimin në bllok deri në vitin 2030.

Rezultati i qartë i zgjedhjeve, tregon se projekti evropian është një përparësi kombëtare për shumë shqiptarë. Vota ishte më pak një zgjedhje për një parti sesa për një qëllim: qëndrimin në rrugën evropiane. Strategjia e Ramës për ta portretizuar veten si një udhëheqës vizionar i integrimit euroatlantik të Shqipërisë përputhet me zhvillimet e politikës së jashtme.

Mbështetja e tij për kursin e politikës së jashtme të BE-së është vlerësuar, veçanërisht që nga pushtimi rus i Ukrainës. Bisedimet e shumëpritura të pranimit në BE, filluan zyrtarisht në mesin e vitit 2022. Në këtë kontekst, Shqipëria po e vendos veten si një favorite për integrimin në BE në Ballkanin Perëndimor dhe po fiton më shumë njohje ndërkombëtare si një anëtare e besueshme e NATO-s.

Tirana, dikur një kryeqytet i përgjumur, është bërë skena e forumeve të mëdha ndërkombëtare – nga samitet BE-Ballkani Perëndimor tek takimet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe takimet e Komunitetit Politik Evropian. Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit të këtij viti në Berlin, Shqipëria ishte e ftuar zyrtarisht dhe i impresionoi vizitorët me diversitetin e saj.

Fakti që të dyja palët po punojnë aktivisht për transformimin e imazhit të Shqipërisë, është shumë i mirëpritur dhe padyshim një hap i nevojshëm për integrimin evropian. Por, pavarësisht pamjes aktuale pozitive të integrimit të Shqipërisë në BE, mbetet pikëpyetja nëse e gjithë kjo është disi hipokrite.

Evropianizimi i Shqipërisë: Një zhvillim hipokrit?

Sfidat më të rëndësishme politike dhe ekonomike të Shqipërisë, burojnë nga një strukturë e dobët shoqërore. Në aspektin social, vendi vuan nga një mungesë e madhe e kapitalit njerëzor për shkak të emigracionit dhe një popullsie në plakje, tendenca që janë përkeqësuar ndjeshëm nën udhëheqjen e Ramës që nga viti 2013.

Politikat e tij autoritare, i kanë kufizuar liritë demokratike, shoqërore dhe politike, ndërsa ekonomikisht ato përqendrohen kryesisht tek bumi në sektorin e ndërtimit. Kjo ka çuar në një rënie të sektorëve prodhues si industria dhe bujqësia.

Sa i përket strukturës shtetërore, ka mungesë të kapacitetit të duhur në të gjitha nivelet e administratës publike dhe mangësi të mëdha në infrastrukturën publike, veçanërisht në kujdesin shëndetësor, arsim, transport, strehim, shërbime familjare, çështje sociale dhe kulturë, probleme  të përkeqësuara nga mungesa e kapitalit njerëzor.

Që të gjithë këta faktorë, ndikojnë tek një strukturë shoqërore dhe shtetërore e dobët, që e minon qeverisjen efektive dhe kohezionin social. Në këtë kontekst, afrimi me BE-në në Shqipëri tenton të manifestohet në një bum projektesh të diskutueshme në infrastrukturë dhe turizëm (p.sh., projekti i aeroportit brenda rezervatit natyror Vjosë-Nartë) dhe marrëveshjeve dypalëshe (p.sh, marrëveshjet për qendrat italiane të pritjes së emigrantëve në territorin shqiptar), pa përfshirë në vendimmarrje popullsinë e zonës.

Këto projekte, jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njerëzve dhe habitatet natyrore, por kërcënojnë gjithashtu rezervatet natyrore dhe biodiversitetin e pasur të Shqipërisë, një nga pasuritë e saj më të mëdha.

Rreziku i demokracisë hibride

BE duhet të ketë qartë një gjë: Procesi i integrimit të Shqipërisë në bllok, duhet të mbështetet me vendosmëri. Megjithatë, kjo nuk duhet të ndodhë me koston e tolerimit të një regjimi hibrid, gjysmë-demokratik, që kombinon institucionet formale demokratike me praktikat autoritare. Një regjim i tillë, përbën një rrezik të konsiderueshëm, për vetë Shqipërinë, stabilitetin rajonal si dhe për BE-në./“Heinrich Böll Foundation”

Exit mobile version