Demokracia shpjeguar me tre batuta

Nga Ardi Stefa

Tre kafe piva dje me tre persona të ndryshëm.

Natyrisht, biseda u soll rreth asaj ç’ka i shqetëson më shumë shqiptarët: Demokracisë!
Duke e ditur angazhimin tim në vitet ’90 i pari më tha: “Nga ju e kemi këtë gjendje! Ju na sollët në këtë derexhe me idealizmin tuaj. Apo e kam gabim?
“Ke të drejtë,- iu përgjigja- kemi faj. Por sot i ngjajmë atij të pandehurit në sallën e gjyqit, i cili pasi kishte vrarë prindërit u kërkonte mëshirë gjykatësve, sepse ishte jetim!”
Më pa me vështrimin mbi syzet personi, me të cilin pija kafenë, nuk foli, miratoi në heshtje dhe iku.
Kafenë e pagova unë.

Kafenë e dytë e piva një orë më pas me një mesoburrë, i cili, ngaqë është nga një zonë e Vlorës, që shquhet për ironi, e mban veten për sarkastik. Përsëri i njëjti diskutim, përsëri e njëjta akuzë.
Edhe atij i dhashë të drejtë. “Ngjajmë me atë bashkëshortin e tradhtuar nga gruaja, që për të dënuar gruan preu veglën e vet!”
Duket nuk i pëlqeu çështja e tradhtisë dhe e veglës, pasi iku edhe ky pa paguar, madje pa e mbaruar as kafenë.

Pasdite u ula për qejfin tim në një kafe buzë detit, në Lungomare.
Erdhi dhe m’u ul në tryezë për qejfin e tij një ish- funksionar shumë i lartë në Vlorë. Folëm për plot gjëra, derisa biseda erdhi përsëri tek demokracia jonë e brishtë.
“Demokracia jonë,- i thashë.- më ngjan me atë historinë me hoxhë efendiun, rabinin dhe priftin.
Si?- më pyeti me habi.
– Po ja,- iu përgjigja. Pyetën njëherë hoxhën besimtarët se ku shkonin paratë që ata jepnin për xhaminë. Dhe hoxhë efendiu bëri një vizë në shesh dhe tha: “Do t’i hedh lekët lart. Ato që do bien majtas janë të miat. Çfarë do bien djathtas janë të xhamisë. Dhe i hodhi lekët, natyrisht me tendencën majtas.
E njëjta gjë me rabinin. Rabini bëri një rreth të vogël në shesh dhe tha: “Do i hedh lekët lart. Çfarë do bien në rreth janë të Zotit, ato që do bien jashtë rrethit janë të miat…
E njëjta pyetje iu bë priftit. (E lashë të fundit shembullin me hirësinë e tij, ngaqë jam vetë ortodoks dhe e rëndova pak më tepër për të mos fyer ndjenjat fetare të të tjerëve.)
Dhe prifti i mori lekët e arkës dhe i hodi në ajër. Pastaj u ul dhe i mblodhi të gjitha. “Unë ia dhashë të gjitha Zotit kur i hodha lart. Ai po të donte i mbante të gjitha.”- tha dhe iku me paratë në xhepat e thellë të rasos.
Kështu edhe demokracia jonë. Aspak demokraci. Gjysmë demokraci. Gjasme demokraci. I shkon ajo shprehja e atij kirurgut, i cili u tha familjarëve të pacientit: “Operacioni doli me sukses! Pacienti vdiq!”

Politikanët tanë u ngjajnë hirësive të tyre. Vetëm për demokracinë dhe popullin nuk mendojnë, veç për vetveten.
Dhe për këtë e kemi edhe ne fajin që i durojmë 34 vite; që i ndjekim me karrige në krah lart e poshtë mëpër sheshe; që u mblidhemi poshtë ballkoneve, sepse mendojmë se do shërojmë herniet cervikale duke ngritur kokën lart në pritje të ndonjë kocke; apo u bëjmë “like” postimeve të Likes majë strukturave metalike të reklamave, maleve apo lumenjve ku zhytet për t’u stërvitur për të përballuar hallet e popullit…

p.s: Shyqyr që e mbylla ditën me tre kafe, sepse batuta e katërt do të ishte më e hidhur dhe aspak metaforike…

Exit mobile version