“Demokratët euroatlantikë besojnë se Shqipëria meriton më shumë”/ Gjergji Nika: Shqipëria , anija që kërkon të dalë ne breg!

Nga Gjergji Nika

Ka ardhur koha e vlerave; ka ardhur koha e moralit dhe e eksperiencës në drejtim.
Janë disa fjalë të zakonshme, të cilat duhet të ishin mëse normale, por që fatkeqësisht nuk janë aspak normale e aspak të kuptimshme aktualisht, si në politikë ashtu edhe në drejtimin qendror e lokal.
Sepse Shqipëria reale ndryshon shumë nga Shqipëria pushtetare!

Po përse nuk mund të funksionojë edhe tek ne ushtrimi i moralshëm i funksioneve publike, politike e shtetërore?
A i kemi njerëzit, kulturën dhe tolerancën e nevojshme për të ndërtuar një shtet modern, të aftë t’u shërbejë qytetarëve? Janë pyetje për çdo qytetar të përgjegjshëm, për të kuptuar se a ia vlen të rrisësh një familje dhe japësh kontribute në një qytet apo në një vend si i yni.

Në mungesë të një revolte të vërtetë rruge, mediumesh intelektuale apo vote, nuk janë të paktë ata që mendojnë se këtu vështirë të realizohet diçka e qenësishme.

Në fakt, shoqëritë që kanë bërë ndryshime në rrugën e së mirës nuk kanë ardhur nga diku tjetër, por kanë pasur mençurinë të kuptojnë përvojat e tyre dhe të tjerëve, të vetëpastrohen dhe mirëmbajnë një kulturë që i vë kufij abuzimit, korruptimit të mendjes dhe shpirtit. Kështu duhet të ndodhë edhe me ne.
Jo vetëm me Vlorën, por edhe me Shqipërinë. Sepse jam i prirur të mos besoj se është i gjithi krunde mielli ynë. Duhet të ketë njerëz të zotë dhe të ndershëm, intelektualë, të cilët nuk kanë arritur ende ta thonë fjalën e tyre në krye të punëve të vendit, nuk kanë mundur të imponojnë sistemin e tyre të vlerave në hapësirën publike e pushtetin vendor. Madje as në politikën lokale, ku duket se zëri është më i kufizuar e imponuar nga qendra.

Po! Unë besoj se Vlorën dhe Shqipërinë nga llumi që i ka përmbytur e bataku ku kanë rënë mund t’i nxjerrin vlerat, morali, eksperienca e njerëzve e intelektualëve vërtet të përkushtuar!

Gjithmonë ka njerëz, që koha nuk i tjetërson.
Por ç’po ndodh sot në Shqipëri e në Vlorë? Çfarë modeli ofrohet? Çfarë ofrojnë partitë e mëdha, në aleancën e tyre okulte? Çfarë ofrojnë partitë e tjera që kanë dalë këto kohë?
Druaj se asgjë, shumë pak, ose atë që kanë afruar gjithmonë: arrogancën, papërgjegjshmërinë, mungesën e transparencës, vjedhjen e qytetarëve e nëpërkëmbjen e tyre, të së ardhmes së tyre, ekonomisë, mirëqenies e perspektivës.
Dhe kjo është për të ardhur keq.

PS në Vlorë ofron “rrugë” të shqyera e të shkatërruara, PD nuk ofron asgjë, asgjë në njerëz, ide e të ardhme, partitë e reja inekzistente ofrojnë vetëm populizëm. Asnjë program, asnjë reformim.
Po në Shqipëri? E njëjta gjë, i njëjti mjerim…
Të njëjtët njerëz 34 vjet; e njëjta gjuhë; e njëjta armiqësi; i njëjti mentalitet; i njëjti mediokritet. Të gjitha na çojnë drejt regresit dhe tek një e ardhme e zymtë, në rast se nuk reagojmë kur shohim që qeverisjen e dikton krimi dhe jo interesi qytetar, arroganca e jo vullneti për të lehtësuar hallet dhe shqetesimet e bashkëqytetarëve tanë, ku vlerat përçmohen e antivlerat drejtojnë.

Mund të duket si sllogan, por duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e cila të besojë se Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, një brez i ri në drejtim i aftë të bëjë ndryshimin.
Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, e cila të marrë përgjegjësinë e drejtimit të vendit nga një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Demokratët euroatlantikë nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Të tjerë janë ata që i kërkojnë, nxisin e mbajnë gjallë përçarjen, urrejtjen për hir të pushtetit personal e halleve me Drejtësinë.

Demokratët euroatlantikë besojnë se jeta, siguria dhe mirëqenia e çdo shqiptari janë më të shtrenjta se çdo kolltuk deputeti, kulle apo parash korrupsioni.
Shqiptarët nuk duhen përdorur si mish për top e as si mburojë për të ardhur disa në pushtet.
Shqiptarët sot janë më të zgjuar, më të informuar; mendojnë më shumë, sepse kanë parë më shumë!
Janë më të kthjellët!
Shqiptarët e dinë se sa më parë të largohet nga pushteti Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë dhe sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do të jetë për Shqipërinë.
Sikundër shqiptarët e dinë mirë se Rama bie lehtësisht, nëse bien këmbët që e mbajnë atë në pushtet. Këmbët ekonomike e politike.
Pa to Rama dhe i gjithë sistemi i pamoralshëm nuk kanë jetë.

Demokratët euroatlantikë besojnë se Shqipëria meriton më shumë, sepse ka gjithçka i duhet që populli, të jetojë në një ekonomi normale, një shoqëri të sigurt, një vend të denjë mes të barabartësh në tryezën e Familjes së Bashkuar Evropiane.
Shqiptarët meritojnë më shumë, sepse mund të bëjnë shumë më shumë, vetëm në rast që kush flet, vendos dhe vepron në emër të tyre, nuk sheh vetëm interesat e pasurimin e vet; nëse kush qeveris nuk i përçan për t’i sunduar, por i udhëheq me tolerancë e bashkim. Shqipëria e shqiptarët mund të ecin përpara vetëm nëse i besojnë e i binden ligjeve dhe vlerave demokratike të llogaridhënies, transparencës e meritokracisë.
Vetëm kështu Shqipëria nuk do të jetë një anije që fut ujë dhe që kërkon të dalë në breg!

Exit mobile version