Jose Mourinho vendos nën akuzë stafin mjekësor të Man.United. Infermieria e “Djajve të Kuq” është e mbipopulluar gjatë kësaj periudhe dhe Special Onë duket se është i nervozuar për këtë fakt. Pa vendosur në plan të parë teoritë komplotiste kundër teknikut, portugezi duket se kërkon ti shkojë deri në fund kësaj çështje dhe ka urdhëruar të bëhet një hetim i detajuar për stafin mjekësor të skuadrës angleze. Si të mos mjaftojë mungesa rezultateve pozitive, numri i futbollistëve që kanë përfunduar në infermieri është i madh, duke filluar që nga Eric Bailly për të vazhduar me Antonio Valencian, Luke Shaw, Chris Smalling, Maroune Fellaini.
Një tjetër emër jo pak i rëndësishëm është edhe armeni Henrikh Mkhitaryan, i cili edhe pse nuk është i dëmtuar gëzon një formë fizike larg asaj që jemi mësuar të shihnim tek ish-skuadra e tij, Borussia Dortumund. Më shumë se 30 milionë euro të shpenzuara për 27-vjeçarin ende nuk japin frytet e shumë pritura. Shumë pikëpyetje në radhët e Man.United, ku duket se pritjes për një përgjigje i ka ardhur fundi. Tashmë është momenti që fajtorët të marrin mbi supe peshën e përgjegjësisë dhe për këtë, Jose Mourinho nuk ka ndërmend të presë më dhe aq gjatë.