Dëmtimi, Mavraj kthehet në stërvitje

Mërgim Mavraj është shfaqur dje përsëri në stërvitjen e Hamburgut, për herë të parë pas dy javësh jashtë fushave, që nga momenti kur u zbulua se, kishte pësuar një çarje në tendinën e gjurit të majtë. Por, ndonëse ka filluar vrapimet e lehta, vetë mbrojtësi ka bërë të qartë se do të jetë shumë e vështirë, që ai të bëhet gati për ndeshjet e Kombëtares shqiptare.
“Periudhë e vështirë pas dëmtimit në një moment shumë delikat si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren. Po bëhet maksimumi për rikuperimin, por tepër e vështirë për t’u rikthyer në kohë për Kombëtaren”, shkroi vetë Mavraj në një postim në Facebook gjatë pasdites së sotme.
Sipas planit të klubit të Hamburgut, Mavraj pritet të kryejë riaftësimin për rreth tre javë, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës në fushën e lojës vetëm në fillimin e muajit prill. Kjo do të thotë se, ai do të humbë grumbullimin me Kombëtaren për duelet ndaj Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Megjithatë, në të kaluarën trajneri De Biazi u ka kërkuar futbollistëve të veçantë të udhëtojnë drejt grumbullimit të Kombëtares me shpresën se mos arrin t’i riaftësojë në kohë, ndaj nuk është çudi që emri i Mavrajt të përfshihet paraprakisht në listën e kuqezinjve.
Mungesa e tij krijon telashe edhe më të mëdha për trajnerin e përfaqësueses që duhet të ndërtojë nga e para prapavijën ku nga titullarët e zakonshëm, në fushë pritet të luajnë vetëm dy krahët, Hysaj dhe Agolli.

Artikulli paraprak40 milionë euro në vit, Barça mbulon në ar Mesin
Artikulli tjetërPezullime e dëmtime