Zlatan Ibrahimoviç dukej se kishte programuar gjithçka për të ardhmen e tij, para se të dëmtohej dhe të mendonte për të rifilluar gjithçka nga e para. Sipas “Premium Sport”, sulmuesi suedez kishte vendosur të largohej nga Mançester Junajtid për të shijuar edhe MLS-në.
Ai kishte zgjedhur LA Galaksi për të ardhmen e tij dhe do t’i bashkohej këtij klubi për të luajtur një vit atje dhe për të provuar të fitonte një trofe edhe jashtë Europës. Më pas, objektivi i tij ishte të kthehej në Europë, te Milani, jo si futbollist, por si drejtues.
Ibras i ka pëlqyer gjithmonë Milano dhe këtë nuk e ka fshehur kurrë, ndaj ai ishte i gatshëm t’u bashkohej kuqezinjve në këtë rol të ri meqë do të jetonte në qytetin italian. Por me dëmtimin, planet kanë ndryshuar.
Fillimisht atij do t’i duhet të kthehet edhe një herë në formë sportive pas dëmtimit të ligamenteve, e pastaj në nivelet më të larta, pasi suedezi është zotuar se do të luajë përsëri me një ekip konkurrues para se të mbyllë karrierën. Deri atëherë, kthimi te Milani duhet të presë…