Dëmtohet rëndë, City humbet Gabriel Jesus

E nisi në mënyrë të shkëlqyer aventurën e tij te Manchester City, madje në vetëm pak kohë te skuadra e Pep Guardiolës arriti të ulte në stol një emër të madh si Sergio Aguero. Por ndaj fatit të keq nuk ka çfarë të bëjë as një lojtar si ai, sepse dëmtimi që pësoi në ndeshjen e fundit ndaj Bournemouth-it rezultoi më i rëndë sesa parashikohej për Gabriel Jesus. Sulmuesi brazilian, autori i 3 golave në 4 ndeshje me Manchester City-n do të mungojë nga 2 deri në 3 muaj duke humbur kështu pjesën e mbetur të këtij sezoni. Shtohen në këtë mënyrë dhembjet e kokës për Pep Guardiolën që kishte gjetur te Gabriel Jesus, sulmuesin ideal për skemat e tij. 19-vjeçari u përshtat shumë shpejt me futbollin anglez duke treguar se është një talent i rrallë, me City-n që duket se ka qëlluar në shenjë me blerjen e tij për 35 milionë euro nga Palmeiras.
Gabriel Jesus me shpejtësinë dhe efikasitetin që zotëron përpara portës është i aftë për të ndryshuar në një fraksion sekondi fatin e një ndeshjeje. Pas Gundogan, Guardiola humbet një tjetër lojtar shumë të rëndësishëm për një periudhë të gjatë. Nëse gjërat shkojnë mirë Jesus mund të kthehet në dispozicion të trajnerit spanjoll vetëm në fund të muajit prill, për të zhvilluar ndeshjet e fundit të sezonit. Tashmë Sergio Aguero do të ketë mundësinë të tregojë veten dhe të rifitojë besimin e Guardiolës në 2 muajt e ardhshëm në mënyrë që trajneri spanjoll të mos vendosë ta largojë nga skuadra verën e ardhshme.

Exit mobile version