Denigrimi i gazetares nga Rama dhe heshtja e Enit

Armand MAHO

“Të këshilloj të shohësh filmin Narcos. Aty do të kuptosh edhe dallimin me Shqipërinë, shikoje si film se nuk dua ta gjej se cili je ti si personazh”, janë fjalët që iu drejtua dje Edi Rama gazetares Eni Vasili në emisionin opinion në televizionin “Neës 24”.
Në foton poshtë është e dashura e Pablo Escobar, Virginia Vallejo, (në filmin Narcos Valeria Velez) gazetare e njohur e kohës, e cila u përdor nga Escobar fillimisht për katapultimin e tij në politikë, dhe më pas përdori figurën e saj dhe ekranin për të përçuar mesazhet që donte në politikë dhe opinion publik. Në film Virginia akuzohet dhe si ideatorja për disa vrasje të kolegëve të saj, me qëllim eliminimin e konkurrencës. Dhe ashtu ishte vërtet, përgjatë kohës që ajo ishte e dashura e Escobar, falë dhe aftësive të saj në profesion aso kohe nuk njihte konkurrencë në gazetari. Ishte e para në çdo vrasje që kryehej në Medellin, pasi lajmërohej nga vetë Escobari, dhe kjo i dha një pushtet të jashtëzakonshëm. Në atë kohë Vajello, konsiderohej si ikonë e gazetarisë kolumbiane pikërisht se ishte krahu i djathtë i Pablo Escobar, dhe kishte jo pak përfitime prej tij. Në të gjitha seritë, është vetëm kjo në rolin e gazetares. Rasti i gazetares tjetër që u mor peng dhe u vra aksidentalisht nga forcat e sigurisë nuk është për tu përmendur sepse ajo nuk e sakrifikua për hir të profesionit, por sepse ishte vajza e ish-presidentit të Kolumbisë….!
E bëra këtë shpjegim të profilit të gazetares kolumbiane për ta bërë më të qartë çalltisjen e kryeministrit në krahasimin e tij. Pasi nuk e kuptoj kurrkund se përse duhej që Eni Vasili të adresohej të shihte filmin dhe të gjente se kujt personazhi i përngjan?! Në mos Viginia Vallejos atëherë kujt? Mos kryeministri kish në mendje të ëmën e Escobarit? Nuk besoj! Përderisa kishte përballë një gazetare, atëherë afërmendsh krahasimi është Virginia Vallejo, pjesë e kartelit më të famshëm kolumbian të drogës. Por me sa e njohim Enin, skemi dëgjuar për të tilla marifete, madje është munduar t’i qëndrojë sa më larg lojërave të pushtetit. Ka qenë një gazetare, që ka bërë punën e saj me përkushtim, dhe është bërë ikone e ekranit në bazë të aftësive të saj. Aq më pak në rrugën e saj, Vasili sdi më të jetë përfolur për lidhje me kartelet e drogës! Hera e parë që mund të ketë parë drogë ka qenë rasti kur mori një gjethe hashashi në studion e saj për të trajtuar temën e kanabizimit të Shqipërisë dhe që i duhej menjëherë pas emisionit të përballej me Prokurorinë për këtë “krim të madh”.
Atëherë përse duhej ky krahasim nga Kryeministri Rama? Ai nuk ka përballë Virginia Vallejo-n e Escobarit, por Eni Vasilin e “Neës 24”, e cila e kish thirrur në një emision, ku ai kryeministri apo dhe të tjerë zgjedhin që të shkojnë apo jo! T’u përgjigjet pyetjeve apo të bëje sikur nuk i dëgjon duke vazhduar me fjalët e tij boshe siç e ka zakon. Kaq e thjeshtë është!. Personalisht se kam ndjekur dje intervistën dhe nuk e di se çfarë e ka provokuar kryeministrin, por fjalia duket se mban në brendësi të saj një gjendje të rëndë acarimi dhe tërbimi që Ramën e ka kapluar me median. Në fakt me çfarë po ndodh, televizionet kryesisht, por edhe gazetat janë treguar të kursyer me rilindjen dhe qeverinë e saj. Kjo për shumë shkaqe e arsye të cilat fillojnë që nga blerja dhe deri tek presioni. Kanë bërë minimumin e minimumit të asaj që duhet të bënin! Skandalet e qeverisë, kanë mbetur në kuadrin e nje lajmi të thjeshtë pa u investiguar dhe treguar fajtorët. (Në këtë drejtim më në pararojë në fakt janë mediat online) Por sërish Kryeministri nuk është i kënaqur. Për të ato, mediat pra, vazhdojnë të mbeten “kazanë” të manipulimit të opinionit në rastin më të mirë, ose vegla të karteleve dhe pjesë të karteleve të drogës si në rastin e gazetares Eni Vasili!!!. Një qëndrim skandaloz ky i atij që duhet të bëjë kryeministrin, i cili tashmë, duket se ka tejkaluar gjuhën e ironisë dhe ka hyrë në atë të sulmit verbal, të drejtpërdrejtë dhe denigrues siç ndodh dhe dje, ku viktima e radhës ra Eni Vasili apo sipas Ramës Virginia Vajello e “News24”!

Exit mobile version