Dënime përjetë për tifozët huliganë

Shembulli më i fund, që ka rezultuar edhe si mënyra më e mirë për të luftuar dhunën në futboll vjen nga Anglia. Pas sulmit ndaj autobusit të Manchester United, klubi i West Ham-it njoftoi se do të punojë me policinë që të evidentojë personat e përfshirë në ngjarjen skandaloze përpara sfidës në “Upton Park”. Skuadra londineze premtoi se do të vendosë dënime të përjetshme për tifozët huliganë, që u përfshinë në mënyrë aktive gjatë incidenteve me mjetin që transportonte skuadrën rivale. Fitorja 3-2 përballë Djajve të Kuq dhe ndeshja e fundit në impiantin Upton Park kaluan në plan të dytë, pas ngjarjeve skandaloze ku u përfshinë disa dhjetëra tifozë të West Ham, ndërsa edhe trajneri Louis van Gaal u godit me shishe në momentin që zbriti në fushë.
Ajo ishte ndeshja e fundit e skuadrës në shtëpinë 112-vjeçare, përpara transferimit në stadiumin “Olimpik” gjatë sezonit të ardhshëm. Të gjithë këto episode bën që ndeshja të niste me 45 minuta vonesë. Por, tani që gjithçka mbaroi, klubi i kryeqytetit anglez nisi bashkëpunimin me policinë, për të identifikuar të gjithë tifozët e përfshirë dhe premtoi përjashtime të përjetshme nga stadiumi. Nga ana e saj, policia e Londrës konfirmoi se, asnjë person nuk u arrestua prej ngjarjeve, megjithatë ka nisur menjëherë puna për një plan të detajuar policor, që të ndalohen të gjithë personat përgjegjës.
Ndodh që edhe në vendin ku është shpikur futbolli, sjelljet e dhunshme të tifozëve t’i detyrojnë organizatorët ta nisin ndeshjen me 45 minuta vonesë. Bëhet fjalë për takimin West Ham-Manchester United, që u shty për tre çerek orë pas sulmit ndaj autobusit të Djajve të Kuq nga ana e tifozëve londinezë, që në fakt duhet të festojnë për ndeshjen e fundit në stadiumin historik “Upton Park”.
Gjatë rrugës për në stadium, autobusi i Manchester United u dëmtua nga goditjet e shumta me mjete të forta. Sikurse tregojnë dhe pamjet filmike, autobusit iu thyen xhamat, ndërsa për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit. Mbërritja me vonesë në stadium e stafit dhe futbollistëve të United, i detyruan organizatoren që ta nisnin takimin jo në orën 20:45, por në 21:30.
Kapiteni i Djajve të Kuq, Wayne Rooney u shpreh se nuk e priste një sjellje të tillë nga tifozët e West Hamit, për të cilët kishte ruajtur konsiderata të larta. Më i ashpër në deklaratën e tij ishte trajneri Louis Van Gaal, i cili theksoi se situata të tilla influencojnë negativisht te futbollistët.

Exit mobile version