Një qytetar ka denoncuar se është ndaluar nga policia për shkak se nuk ka paguar faturat e ujit. Ai thotë se janë ndaluar nga policia 6 persona pse nuk kanë paguar faturat e ujit dhe mbahen në komisariat. “Jemi 5-6 vetë këtu që në mëngjes. Hyjmë e dalim sa nga njëra derë në tjetrën…në komisariat”, thotë qytetari nga Elbasani që nis edhe fotot që shoqërojnë këtë lajm.
I pyetur për mënyrën se si është shoqëruar dhe pse? Ai thotë se: “Erdhën në dyqanin që kam me qira 20 vetë, punonjës të Ujësjellësit dhe të Policisë, na thanë se nuk keni paguar ujin dhe do shkoni për ndjekje penale. Pronari që ka dyqanin (se unë jam qiraxhi) kërkoi të bëhej kontrata dhe të paguanim, por ata nuk pranuan. Na sollën në komisariat dhe po na bëjnë letrat për Prokurori. Këtu (në polici) është edhe një burrë në moshë që ka ndarë dyqanin në mes, por kishte vetëm një sahat. Për këtë gjë mbahet gjithë ditën në komisariat”.
Qytetari shprehet i revoltuar ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama, pasi nuk u krijon asnjë mundësi për të punuar. I pyetur për mospagesën e faturave, ai thotë se ka një vit pa paguar, ose rreth 50 mijë lekë (të reja), por justifikohet se në Elbasan askush nuk e ka paguar ujin dhe se shteti duhet të krijojë lehtësira për të paguar me këste dhe jo të fusë njerëzit nëpër burgje për ujin…