Denoncimet e reja të FBI turbullojnë edhe Bill Clinton

Dje, FBI-ja nxori dokumente shtesë nga një hetim i mbyllur i para 15 vjetëve lidhur me faljen presidenciale të një dhuruesi fondesh për demokratët nga ana e Presidentit Bill Clinton.
Dokumentet bëhen publike vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale dhe vetëm disa ditë pasi agjencia njoftoi se do të vazhdonte të hetonte e-mail-et e kandidates demokrate, Hillary Clinton, një lëvizje që shkaktoi kritika nga demokratët dhe vlerësim nga kandidati republikan Donald Trump.
Dokumentet e reja përmbajnë 129 faqe me materiale që janë gjerësisht të redaktuara lidhur me amnistinë e Presidentit Clinton për Marc Rich-in, në ditën e fundit në detyrë. Rich iku nga Amerika për në Zvicër, pak pasi ndaj tij u ngrit padi për akuza lidhur me taksat federale dhe jetoi atje në fshehtësi për disa vjet. Para se t’i falej padia, ai ishte në listën e FBI-së për më të kërkuarit dhe në qendër të rastit më masiv të shmangies së taksave në historinë amerikane.
Debati rreth amnistisë përqendrohet tek dhurimet që kishte bërë ish-bashkëshortja e zotit Rich, Denise Rich, një shumë prej 450,000 dollarësh dhe për fushatën e zonjës Clinton për Senat, një shumë prej 100,000 dollarësh.
Zëdhënësi i fushatës së zonjës Clinton, Brian Fallon hodhi dyshime për momentin e vendimit të FBI-së për të botuar dokumentet tani, kaq pranë zgjedhjeve.
“Nëse nuk ka një afat në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit, kjo është e çuditshme”, shkruante Fallon në Twitter. “A do të publikojë FBI-ja dokumente për diskriminimet që ka bërë familja Trump për strehimin në vitet `70?”.
Pjesa e dytë e mesazhit të zëdhënësit Fallon në Twitter, i referohej një aktpadie federale për strehim kundër zotit Trump, ku ai dhe i ati Fred Trump akuzoheshin për diskriminim ndaj qiraxhinjve të mundshëm bazuar tek raca. Për çështjen u arrit marrëveshje jashtë sallës së gjyqit dhe zoti Trump nuk e pranoi kurrë fajësinë.
Në një deklaratë, FBI-ja tha se dokumentet u bënë publike automatikisht në dhomën e leximit elektronike të agjencisë në përputhje me ligjin. Nëse më shumë se tre vetë kërkojnë dokumente nga FBI-ja, agjencia ka një praktikë që i vë në dispozicion ato dokumente në internet.
Megjithëse nuk doli ndonjë informacion i ri në dokumente, ato gjithsesi ka mundësi t’i japin material zotit Trump.
Ai po e përdor njoftimin e drejtorit të FBI-së, James Comey se agjentët po rishikojnë e-mail-e të rinj nga koha kur zonja Clinton ishte sekretare Shteti, si argument se rivales së tij i mungon sinqeriteti dhe nuk mund t’i besosh.
Zonja Clinton, që ka thënë se njoftimi i zotit Comey kaq pranë zgjedhjeve të 8 nëntorit, ishte “indinjues”, iu shmang kësaj çështjeje të martën në Florida, ku tha se komentet e zotit Trump për gratë ishin “poshtëruese, degraduese dhe fyese”.

Artikulli paraprakTrump kryeson në sondazhe, tregjet në panik
Artikulli tjetër“VATRA” refuzon Ramën, bojkoton Samitin e Diasporës