Denoncimi: 95% e rekrutimeve të reja në SHISH vijnë nga ish-Sigurimi i Shtetit

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika, tha në studion e Syri.net se komunizmi në Shqipëri nuk është përmbysur dhe sa herë vjen në pushtet Partia Socialiste, de fakto qeverisin komunistët.
Çika solli si shembull faktin që Gramoz Ruçi, i akuzuar për krime kundër njerëzit dhe gjenocid, jo vetëm është në Kuvend, por është Kryetar i Parlamentit shqiptar.
“Sot janë në qeveri dhe në krye të shtetit shqiptar pinjollët e kupolës së Partisë Komuniste, djemtë e anëtarëve të Byrosë Politike.
Jemi në një situatë kur komunizmi jo vetëm me fytyrat, por edhe me metodat. Po ju sjell në vëmendje ligjin për pronat, që dëmshpërblimin po e bëjnë jo me çmimin e tregut por të vitit kur janë sekuestruar”, tha Çika.
Në vijim ai tha se nga 20 rekrutimet e fundit që ka bërë SHISH, 19 janë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe një prej tyre është djali i një ish-oficeri të sigurimit.
“Një grup njerëzish kanë marrë pushtetin dhe shtypën këtë popull. Sot janë një grup tjetër, pasardhës të komunistëve që po shtypin këtë popull.
Qeveria ka ngrirë dëmshpërblimin për të përndjekurit politikë. Ata janë shtresa më e varfër, kërkojnë t’u heqin trashëgimtarëve dëmshpërblimin, ky është një dëm që shteti shqiptar ia ka shkaktuar këtyre njerëzve”, tha Çika.

“Syri.net”

Exit mobile version