Dalin në dritë detaje të reja për vdekjen e të riut Endri Dhimitri dy ditë më parë në Tiranë. Policia njoftoi se Dhimtri vdiq si pasojë e konsumimit të alkoolit, por një qytetar ka informuar ish-Kryeminsitrin Berisha se ai ka vdekur në rajonin e policisë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, ndërsa policia e ka fshehur ngjarjen. “Qytetari dixhital denoncon: Vdekjen e të riut Endri Dhimitri si vrasje shtetërore në rajonin e policisë! I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë dhe verifikojë me përparësi këtë dëshmi, akuzë të rëndë për vrasjen e një të riu në rajonin e policisë!”, shkruan Berisha ën Facebook duke publikuar mesazhin e plotë të qytetarit.
“Doktor ju përshëndes! Sapo fola dhe njëherë me një person që ma referoi se, Endri Dhimitri është bërë i vdekur në rajon të policisë. Ai më tregoi se i ndjeri është rrahur keq nga policia një natë më parë në rajon për shkak të një ngatërrese në një lokal dhe policia fsheh faktin që e ka marrë dhe rrahurr shtazërisht në rajon. Kjo mund t’i ketë shkaktuar dhe hemoragjinë e fshehtë. Ai kishte ardhur nga Përmeti në Tiranë. Jeton vetëm me babanë e moshuar dhe nuk ka as motër apo vëlla. Pak njerëz të afërm. Këto janë të dhënat. Çdo të mirë për ju!”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se, Endri Dhimitrit nga Përmeti, kishte vdekur si pasojë e konsumimit të alkoolit. Sipas policisë, i riu kishte konsumuar një shishe uiski mbrëmjen e 28 nëntorit, në një lokal tek rruga e “Kavajës” dhe ishte ndjerë keq.
Pasi ka dalë nga lokali ka qenë shumë rëndë dhe kalimtarët e kanë parë të ulur në rrugë dhe kanë njoftuar ambulancën. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga forcat e Komisariatit Nr.2 në kryeqytetit, të cilët thonë se e kanë parë të riun të ulur në rrugë. “Djali ishte ulur në rrugë, derisa iu afrua dikush. Pamë qytetarë që e ndihmuan 24-vjeçarin Endri Dhimitri, më pas e ndihmuam të hipte në ambulancë”, thotë policia.
Mjekët e Traumës që u kujdesën për të më 28 nëntor thonë se 24-vjeçari kishte shtypje të trupit, kur ka shkuar për mjekim. Pasi ka marrë mjekimin, mësohet se i riu është ndjerë keq edhe ditën e nesërme. Shokët e kanë dërguar sërish në spital më 29 nëntor. Sipas burimeve, mjekët nuk e vizituan, por e këshilluan të pinte ilaçet e dhëna prej tyre, pasi e kishte nga alkooli.
Pas këtyre episodeve, i riu u gjet i vdekur nga fqinjët në banesë. Për të zbuluar shkaqet e vdekjes, pritet që trupi i të riut t’i nështrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Në profilin e tij në Facebook thuhet se punonte si drejtor i Hetimit Tatimor, ndërsa para 3 vjetësh i kishte vdekur edhe nëna.
Hetimet: Inxhinieri i uzinës së naftës u vra dhe u dogj
Zbardhet krimi makabër i ndodhur në Mallakastër. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, teknologu i uzinës së Ballshit është vrarë dhe më pas është djegur për të humbur gjurmët. Sipas burimeve nga grupi hetimor, teknologu Shefo Duraj, trupi i të cilit u gjet para dy ditësh në një pyll, është vrarë dhe djegur. Burime nga Policia e Fierit thanë se, nga hetimet e bëra në trupin e pajetë të 57-vjeçarit Duraj, janë gjetur plagë thike dhe hekuri, si dhe djegie nëpër trup të shkallës së parë. Pas këtyre detajeve të reja, kjo ngjarje është duke u hetuar si “Vrasje me dashje”.
Shefo Duraj u zhduk pa lënë gjurmë, pasi doli nga turni i tretë në uzinën e Ballshit ku punonte prej 20 vitesh. Trupi i tij u gjet mbrëmjen e së martës në pyllin e fshatit Kalenjë në gjendje të dekompozuar, por paraprakisht ekspertët thanë se viktima nuk ka vdekur për shkaqe natyrale. Pas kryerjes së hetimeve, rezultoi se ai është vrarë me sende të forta dhe më pas është djegur. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj vrasjeje makabër, por burimet bëjnë të ditur se po hetohet për vrasje për shkak të detyrës.
R.POLISI