Pronarët e 4 dyqaneve te Rruga e Kavajës u shprehën se prona e tyre e ligjshme po u merret për t’iu dhënë oligarkëve të lidhur me Edi Ramën, që do të ndërtojnë një 20 katëshe.
Njëri prej pronarëve tha se ka informacione dhe dyshime se në pronën e tyre, që e kanë me çertifikatë pronësie dhe me dokumente të rregullta do të ngrihet një pallat 20 katësh. Ai tha se kanë shkuar persona që i kanë pyetur për çmimin që kërkojnë ose hapësirën që duan në ndërtimin e ri.
Në mbeshtetje të tyre ishin edhe ish-deputetët e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri dhe Klevis Balliu. Pampuri u shpreh se, ky akt është i paprecedent ku kryeministri Rama po uzurpon pronat e pronarëve të ligjshëm, por çështja do të shkojë deri në Gjykatën e Strasburgut dhe PD do të jetë në mbështetje të banorëve.
“Edi Rama po uzurpon pronat e pronarëve të ligjshëm. Kjo nuk duhet toleruar më, është një akt i paprecedentë që po ndodh, ndërkohë që çështja është në Gjykatën e Apelit, dhe ju garantoj se çështja do të shkojë në Strasburg dhe PD mbështet pronarët legjitimë.
Edi Rama po instalon standardet e një shteti komunist. Edi Rama, sëbashku me Prefekten e Tiranës dhe Erjon Veliajn, po bëjnë një aferë korruptive. Po uzurpohet ose po shtetëzohet prona private. Këta janë pronarët e ligjshëm dhe prona i takon atyre”, u shpreh Pampuri.