Kandidati për deputet i Demokratëve Euroatlantikë, Gjergji Nika, ka denoncuar një vendim të Bashkisë Vlorë, i cili, sipas tij, favorizon oligarkët në dëm të banorëve të fshatit Tragjas. Sipas Nikës, me vendimin e datës 31 janar, uji i Izvorit u merret banorëve për të furnizuar resorte luksoze në Palasë dhe Dhërmi, duke rrezikuar jetesën dhe investimet e banorëve në bujqësi dhe blegtori.
Ai e cilëson këtë akt si një shkelje ligjore dhe morale, ku interesat e qytetarëve sakrifikohen për përfitimet e një pakice të pasur.
“Unë jam me qytetarët! Jam kundër arrogancës dhe grabitjes së pasurive të Tragjasit,” deklaron Nika, duke u shprehur në mbështetje të banorëve dhe të drejtave të tyre.
Denoncimi i plotë i Gjergji Nika:
Është e papranueshme, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe me të gjitha principet morale të një shoqërie demokratike, që interesat e shumicës t’u nënshtrohen dëshirave e qëllimeve pasurore të një pakice oligarkësh!
I tillë është rasti i firmosjes së një vendimi nga bashkia e Vlorës, sipas së cilës banorëve të fshatit Tragjas u merret uji i Izvorit për t’u furnizuar disa resorte në Palasë e Dhërmi në pronësi të oligarkëve e disa politikanëve pranë tyre.
Leja nr. 74, datë 31.01.2025, firmosur nga kryetari i bashkisë Vlorë në emër të gjasme zhvillimit, bën që kjo zonë turistike, blegtorale e bujqësore shumë shpejt të varfërohet e të gjitha investimet e bëra nga banorët të shkojnë dëm.
Por kujt i intereson?
Rëndësi ka të furnizohen oligarkët dhe “investitorët strategjikë”, që kanë nënshtruar politikën!
Prandaj sot shtrohet çështja, aspak populiste, por realiste: “Me cilët duhet të jemi? Me qytetarët apo oligarkët? Me klasën e vjetër politike, e cila nuk mendon për qytetarët, apo me qytetarët e ndershëm e punëtorë?”
Unë besoj se pozicionin tim e ka të qartë: JAM ME QYTETARËT!
Jam kundër karshillëkut të një pushteti të kalbur kundrejt qytetarëve; kundër arrogancës së grabitjes së pasurive jetike të Tragjasit; kundër abuzimeve të interesit qytetar në emër të “zhvillimit”!
Jam me banorët e Tragjasit, me të drejtën e tyre, me zhvillimin, me punën e djersën e tyre të ndershme!