Denoncimi i oficerit: Në pajisjen e përgjimit ndërhyrje për të fshirë të dhënat

Ish-Kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një oficeri, i cili bën të ditur se në pajisjen e përgjimit janë bërë ndërhyrje me qëllim manipulimin e të dhënave dhe përgjimeve që janë bërë. Ai bën të ditur se pajisja e përgjimit është transferuar mbrëmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Akademinë e Rendit dhe është manipuluar gjatë gjithë natës.
“Përshëndetje Doktor, një oficer pedagog në Akademinë e Rendit më thotë që pajisja e përgjimit që ka qenë në Drejtorinë e Përgjithshme e kanë sjellë mbrëmë natën tek Akademia e Rendit. Ndërkohë mediave u kanë thënë se është dorëzuar në ambasadën italiane, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Gjatë natës dy specialistë të Drejtorisë së Policisë kanë bërë ndërhyrje dhe fshirje dhe sot e ekspozuan si objekt mësimor për trajnim. Flm”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.
Po dje, Berisha publikoi një tjetër postim përmes të cilit bëri të ditur se pajisja e përgjimit është futur në Shqipëri përmes rrugëve private, pra, duke anashkaluar çdo rrugë e procedurë ligjore.
“Pajisjen përgjuese manjaku Edvin Shullazi e ka siguruar në rrugë private antiligjore e antikushtetuese? Të dashur miq, burime të sigurta informojnë se pajisja me të cilën manjaku Edvin Shullazi ka përgjuar që nga fillimi i vitit kundërshtarët politikë dhe të tjerë ka hyrë në Shqipëri në mënyrë private në thyerje flagrante të ligjeve të vendit dhe marrëveshjes ndërshtetërore me palën italiane, në kundërshtim me çdo destinacion ligjor dhe kushtetues të saj”, shprehet Berisha.
Berisha thekson se policia e ka të ndaluar me ligj përdorimin e një pajisjeje të tillë pa marrë më parë lejen me shkresë të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana tjetër, Berisha i bën thirrje Prokurorisë që të bëjë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm ndaj ngjarjes. “Futja e pajisjeve të tilla në Shqipëri mund të bëhet vetëm në përputhje me ligjet e vendit dhe për destinacion të përcaktuar dhe të verifikueshëm qartë. Policia nuk mund të ketë kurrë një pajisje të tillë pa lejen me shkrim të Prokurorisë dhe për destinacionin e mirëpërcaktuar po nga Prokuroria, pra për personat apo grupin kriminal që përgjohet! I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të bashkërendojë punën për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të këtij skandali të Edvin gait!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Arben Shahini

Exit mobile version