Ditën e djeshme, mediat zbuluan lidhjet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilat shkojnë tek ortakëritë me kompani ruse dhe inceneratorët.
Gjithashtu, u zbuluan emrat e përfshirë në skemë, të cilët dalin në takimet me “trurin” e inceneratorëve, Mirel Mërtiri, në Milano.
Në takimin e Mërtirit me aksionerët e rinj të përkohshëm që do të financonin inceneratorin e Tiranës, të zhvilluar në datën 1 shtator 2022, ishin prezentë Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe administratorët e kompanisë “Integrated Energy”, tashmë “Geogenix”.
Christophe Darbord dhe Blerim Hoxha janë personat që çojnë lidhjet tek “Armo”, “Tosk Energy”, kjo e fundit e financuar dhe drejtuar nga “Gunvor”-i rus, si dhe “Byllis Energy”. Në skemë del edhe shtetasja Marigona Metaj.
Personat e sipërpërmendur kanë krijuar një skemë me kontrata huaje me kompaninë “Tosk Energy”, të themeluar në qershor të vitit 2015, me pronar të vetëm Blerim Hoxhën.
Blerim Hoxha ia shiti aksionet më 26 maj 2016 kompanisë zvicerane “CDF LONSEILS SARL”, me përfaqësues ligjor dhe pronar shtetasin francez, Christophe Darbord.
Më 6 tetor 2016 “Tosk Energy” lidhi një kontratë pengu me “CDF LONSEILS SARL” dhe “SKYSEA B.V.”, kompani e regjistruar në Holandë dhe që në marrëveshje citohet si (“GUNVOR” ose pengmarrësi).
Sipas marrëveshjes, kompania “GUNVOR” do t’i japë kompanisë “Tosk Energy” 13.000.000 euro borxh për të blerë terminalin në Porto Romano nga kompania “GENKLAUDIS” sh.a.
Në datën 30 shtator 2016, vendimi i ortakëve ndryshon këshillin e administrimit, ku shtohen Christophe Darbord, Hoang Gia Mai (shtetas zviceran, drejtor i “GUNVOR”-it), Joel Chevallaz. Në atë kohë largohen Enver Maçastena, Behar Reçica dhe Lumbardh Kukaj.
Administrator caktohet Blerim Hoxha. Në shkurt të vitit 2018 largohet si anëtar i këshillit të administrimit, Hoang Gia Mai dhe emërohet shtetasi francez Charles Pierre Thibault Grosfilley.
Në shkurt të vitit 2017 mbyllet pa sukses marrëveshja e huas midis “Tosk Energy” dhe “Sky Sea” (GUNVOR), pasi nuk lidhet marrëveshje për të blerë terminalin nga “GENKLAUDIS”.
Një tjetër marrëveshje huaje lidhet mes “Tosk Energy”, “CDF LONSEILS SARL” dhe “GUNVOR” sa., në gusht të vitit 2017, por edhe kjo përfundon në muajin tetor të të njëjtit vit.
“Tosk Energy” dhe “GUNVOR” sh.a. lidhin një tjetër kontratë borxhi në tetor 2017 dhe në vitin 2018 ndodh një transaksion për shitjen e 50% të aksioneve nga “Tosk Energy” te “SKYSEA” B.V. Ky veprim nuk pasqyrohet në QKB, por gjendet te Autoriteti i Konkurrencës.
Në maj të vitit 2019 autorizohen Marigona Metaj dhe Ilir Stafa për të kryer veprime bankare.
Në vitin 2022 riemërohen edhe njëherë anëtarët e këshillit Christian Albert Edmond Forrer, Charles Pierre Thibault Grosfilley dhe Christophe Darbord.
Në mars të vitit 2022 largohet si administrator Blerim Hoxha, ndërsa në prill të vitit 2022 largohet nga këshilli i administrimit Christophe Darbord.
Gjithashtu, CNA denoncoi edhe lidhjet që shkojnë te familjarët e “vëllait” “non grata” të Erion Veliajt, Artan Grubi, ish-zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.
Arian Grubi, djali i xhaxhait të Artan Grubit emërohet në gusht të vitit 2019, te kompania “Toks Energy”, duke zëvendësuar Marigona Metajn.
Në prill të vitit 2022 largohet si administrator Arian Grubi dhe emërohet Jerome Joseph Joachim De Sa.
Ky i fundit rezulton si administrator edhe te kompania “Byllis Energy”, edhe te “Toks Energy”.
Por si lidhet Christophe Darbord, njeriu në doli në takimin e Milanos me Mirel Mërtirin me këto kompani.
Christophe Darbord është emri që lidh të gjitha këto kompani. Që prej fillimit të vitit 2015 ai është administrator i kompanisë “Armo” sha.
Në vitin 2013 Darbord është emëruar në bordin e “ARMO”-s. Më pas, në janar të vitit 2015 u zëvendësua nga Klodian Mene.
Në datën 26 shkurt 2015, Christophe Darbord emërohet si administrator i “Armo” sha.
Gjithashtu, ai është dhe drejtor i përgjithshëm te kompania aksionere e inceneratorit të Tiranës, “Icare”.
“Icare” është një kompani e regjistruar në Zvicër dhe punonjës të saj të faktuar tashmë janë Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe Marigona Metaj. Kjo e fundit ka qenë edhe në Shqipëri, ku ka vizituar nga afër ambientet e landfillit të Sharrës.
Këto kompani që janë të regjistruara sa në Zvicër e në Holandë kanë lidhje financimi nga “Gunvor” sa, një kompani ruse e futur në listën e zezë të SHBA-së nga ish-presidenti Obama.
“Icare” është kompania që gjeti fondet 100.000.000 euro për të financuar inceneratorin dhe këtë e bëri nëpërmjet një tjetër kompanie në pronësi të saj, të regjistruar në Dubai LITWIN SA.
Fondet do të sillen nëpërmjet kompanisë amerikane “Ethos”, e regjistruar në San Diego, e cila sipas komunikimeve të këtyre kërkojnë që fondet të lëvrohen në një bankë në Qipro ose në Hungari. Llogaria në Qipro nuk u hap, por në Hungari po.
“Icare” vetë ka disa kompani satelit, të cilat kanë në pronësi të tyre dhe dy kompanitë “Tosk Energy” dhe “Byllis Energy”.
Këto kompani me “Deveron” dhe “IRTC” ( e regjistruar në British Virgin Islands) bënë masakrën tek “Armo” dhe në përfundim u sekuestrua dhe rafineria i kaloi në pronësi një banke të nivelit të dytë, me një procedurë të kundërligjshme, kryer nga Alban Qazimi, (“vëllai” i Fatmir Xhafajt) dhe më pas banka ua jep me qira këtyre personave dhe në fund rafineria i shitet për skrap “Shijaku” sh.p.k.
Ndërkohë, në këtë periudhë ka edhe një proces gjyqësor mes Administratës Tatimore për një gjobë disa miliarda të vendosur ndaj kompanisë “Deveron” (sepse kryente procedura të çuditshme eksporti me Kosovën). Gjykata Administrative e Apelit me një arsye qesharake rrëzon aktin, pasi e kishte firmosur një vartës se drejtori ishte me leje në muajin gusht dhe delegimi i firmës nuk ishte publikuar në Fletoren Zyrtare.
Pas kësaj, Tatimet nuk kryejnë dhe njëherë procedurën, por i japin kompanisë 500.000.000 lekë rimbursim në llogaritë e kompanisë “IRTC” (si kompani e lidhur) dhe më pas i vendosin gjobën sërish. Pra, shteti vidhet dy herë dhe prokuroria nuk reagoi dhe pse pati disa denoncime publike.
Në përfundim, duket qartë se si para ruse nëpërmjet punonjësve të “Icare” kanë ardhur në Shqipëri e kjo na shton dyshimet se dhe financimi për inceneratorin mund të jenë nga këto burime të lidhur me njerëz të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin.
Këto lidhje të hershme të prezencës së këtyre individëve në Shqipëri, në një sektor shumë strategjik si ai hidrokarbur, hedhin dyshime se kjo është një aferë për pastrim parash për një periudhë 30-vjeçare./ Marre nga CNA.al