Një qytetar denconon në “Boldnews.al” Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se e ka lënë mbi 10 muaj pa drita. Shtetasi i quajtur Andon Qako ka vendosur të padisë OSHEE për abuzim me fatura aforfe dhe trajtim diskriminues. Historia e këtij qytetarit nis disa vite më parë ku merr një banesë me qira në zonën e Yzberishtit. Sipas librezës së dritave që është në emër të pronarit të banesës Rasim Lleshi, rezulton se çdo muaj është paguar rregullisht energjia elektrike që nga dita e parë e lidhjes së kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Por një ditë të muajit tetor të vitit 2013, një faturë “e majme” mbërrin nga OSHEE në banesën e marrë me qira nga Andon Qako. Në faturë thuhej se kjo banesë kishte detyrime të prapambetura prej 56 mijë lekësh (të reja), por pa e sqaruar klientin se si ishte krijuar ky detyrim. Qytetari e ankimon pranë zyrave të OSHEE këtë faturë, me arsyen se ishte e pajustifikuar. Punonjësit e OSHEE i kërkojnë qytetarit që të paguajë shumën dhe në rast se ai ka të drejtë atëherë do t’i kompensohet me energji elektrike. Por qytetari nuk është dakord të paguajë faturën e kripur prej 56 mijë lekësh. Gjatë kësaj kohe, në pritje të ankimimit, çdo muaj në shtëpinë e tij i vinin fatura prej 340 lekësh pavarësisht se klienti Andon Qako ishte i bindur se ai konsumonte më tepër energji, ku mesatarisht faturat i shkonin 1500 lekë në muaj. Edhe pse ankimi ka një afatin maksimal për 1 muaj për të dhënë zgjidhje problemit, qytetari Andon Qakos iu desh mbi 15 muaj për të marrë një përgjigje. Në janar të 2015, me një veprim të njëanshëm dhe të pajustifikuar, OSHEE i ndërpret energjinë elektrike dhe në banesë i vjen një faturë e re, kësaj here me shumën 88 mijë lekë (të reja). I shqetësuar, Andon Qako i drejtohet sërish zyrave të OSHEE për të kuptuar detajet e kësaj fature. Përgjigjen ai e merr nga punonjësit e OSHEE, të cilët i thanë se mbi shumën 56 mijë lekë që ishin detyrime të prapambetura, i shtohet edhe pjesa tjetër që është kamatëvonesë. Edhe pse OSHEE ishte përgjegjësi kryesor për të kthyer përgjigjen e ankimimit brenda afateve, absurdi qëndron se për këtë vonesë qytetari duhet të paguajë kamatë. I gjendur në këtë situatë, Andon Qako ndërmerr një tjetër ankimim ndaj OSHEE ndërkohë në të njëjtën kohë i drejtohet edhe Avokatit të Popullit. Pas kësaj, OSHEE i rikthen dritat dhe në muajin mars të 2015 i fshin faturën prej 88 mijë lekësh, që prej muajsh ishte kthyer në makth për qytetarin. Por OSHEE suprizon përsëri me kërkesat e saj. Kësaj here i kërkon qytetarit që të paguajë një faturë prej 7 mijë lekësh (të reja) dhe një prej 24 mijë lekësh (të reja). OSHEE argumenton se këto dy fatura janë sistemuese pasi qytetari Andon Qako gjatë kohës që ishte në pritje të ankimimit kishte paguar vetëm 340 lekë në muaj ndërkohë që kishte shpenzuar më tepër. Qytetari kërkon në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit një shpjegim të detajuar për çdo shpenzim mujor. Por OSHEE nuk ia jep këtë të drejtë qytetarit duke i kërkuar vetëm që të paguajë shumat e padetajuara. Ky veprim është në shkelje të hapur të nenit 40 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku thuhet se faturat e paraqitura konsumatorit duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar. Gjithasesi, qytetari i bindur që kishte shpenzuar më tepër energji se 340 lekë në muaj, paguan vetëm faturën e parë prej 7 mijë lekësh, ndërsa refuzon të paguajë faturën prej 24 mijë lekësh. Teksa presionet dhe kërkesat e OSHEE vijonin çdo muaj ndaj qytetarit Andon Qako, ky i fundit ishte i vendosur që të mos paguante më fatura në “ajër”. Më 9 tetor 2015, OSHEE merr vendimin flagrant duke i ndërprerë energjinë elektrike. I pafuqishëm për të zgjidhur këtë situatë, Andon Qako i drejtohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të shfuqizuar këtë vendim abuzues të OSHEE dhe anulimin e faturës prej 24 mijë lekësh. Sot qytetari, i cili jeton i vetëm në këtë banesë, duhet të vuajë pasojat e një sistemi jotransparent, abuzues dhe diskriminues të OSHEE. Mbi 10 muaj Andon Qako jeton në errësirë totale, ndërsa ai është i bindur se një ditë e drejta e tij do të triumfojë.
“Boldnews.al”