Denoncimi, si i zhvasin tenderat publikë Gjici dhe deputeti Ndreu

Shifrat zyrtare flasin për një krizë të thellë ekonomike që ka përfshirë vendin, rritje të varfërisë e papunësisë, por kjo nuk prek aspak njerëzit pranë pushtetit, bizneset e të cilëve sa vijnë e fitojnë gjithnjë e më shumë e tendera. Ish-kryeministri Sali Berisha postoi denoncimin e një qytetari, i cili tregonte se si kompania e ish- prefektit të Kukësit, dhe ish-kandidatit të Ramës për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici dhe deputeti socialist Pjerin Ndreu, zhvasin tenderat e fondet publikë të favorizuar nga pushteti. Gjici dhe Ndreu zotërojnë të dy nga një kompani shërbime sigurie. Këto dy kompani kanë fituar tenderin në lidhje me sigurinë e hidrocentraleve në një kohë, që të dyja kompanitë nuk përmbushin standardet konkrete për shërbimet që ofrojnë. “Qytetari dixhital denoncon dhënien e tenderave të ruajtjes së hidrocentraleve firmës Gjici (e specializuar në vjedhjen e bankave që ruan dhe që ka fituar 56 tendera në ruajtje objektesh si favorite personalisht e Edi Ramës (shënimi im ky) dhe firmës Ndreu, për të cilën deputeti betohet në Parlament se nuk ka lidhje me të, por tani është e vëllait të tij. Kjo firmë nuk fitoi për motive politike pesë herë më shumë tendera sesa në vitin 2013! Për më shumë lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha. Ndërkohë  në denoncimin e qytetarin thuhet: “Përshëndetje z. Berisha, Doja t’iu vija në dijeni në rast se nuk jeni. Përpara disa kohësh është hedhur tenderi për sigurinë e hidrocentraleve. Tenderi është mbyllur dhe fitues kanë dalë dy kompani sigurie (SHRFS ‘Eurogjici’ Security ShPK) dhe (‘Ndreu Security Services’ ShPK). Nuk e di me çfarë të drejte jepet siguria e pasurive kombëtare dy kompanive që kanë pasur probleme të mëdha me sigurinë dhe besueshmërinë. Nuk mund ta besoj dot si lihet në mëshirën e fatit siguria e hidrocentraleve dhe TEC-ve në Shqipëri. Nuk e dimë akoma se me çfarë baze është dhënë siguria, nuk e dimë akoma çfarë do të bëhet me mbi 250 punëtorë që marrin një rrogë mesatare, pasi kompania e sigurisë nuk mund të mbajë punëtorë me rroga mbi 35.000 lekë, dihet që rroga në kompanitë private të sigurisë janë 17.000 lekë, nuk e dimë akoma fatin e gjithë asaj strukture të ngritur në kohën e PD në periudhën 2008 si do të përfundojë. Kesh Security SHA ka dy vite që del me fitime, duke tejkaluar dhe pritshmëritë, tani si mundet një kompani që ka krijuar një identitet t’i lihet në dorë njerëzve si Safet Gjici dhe Pjerin Ndreu. Për më tepër sigurinë e pasurive kombëtare të shqiptarëve. Sinqerisht pres një reagim nga ana juaj”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Tenderat e fituara nga Gjici dhe Ndreu

Deputeti Ndreu dhe ish-prefekti i Kukësit, Gjici janë biznesmenë. Nga dokumentat e publikuara në media, por edhe të hedhura në portalin e të dhënave Open Data rezulton se, vetëm për këta të dy nga koha e ardhjes së Ramës në pushtet janë dhënë jo pak, por qindra tendera e kontrata të lidhura e të paguara nga paratë e buxhetit të shtetit. 102 tendera këto dy vite kanë shkuar vetëm për Safet Gjicin, i cili qendron në krye të listës së klientëve të favorizuar në zhvatjen e tenderave. Nuk mbetet pas Pjerin Ndreu, i cili në dy vite ka nënshkruar plot 31 kontrata. Deputeti tjetër Pjerin Ndreu, përmes firmës së tij “Ndreu Security Service” që prej ardhjes së Ramës në pushtet ka përfituar një shifër të konsiderueshme tenderash, duke lidhur në këtë periudhë rreth 31 kontrata shërbimi me institucionet publike. Përgjatë periudhës shtator-dhjetor 2013, Pjerin Ndreu ka 4 kontrata, janar 2014-dhjetor 2014 ka 11 kontrata, janar 2014-dhjetor 2016 ka 16 kontrata. Pra, në total një shifër prej 31 kontratash. Në krye të listës së tenderave të fituar qendron Safet Gjici, i cili sapo Rama ka ardhur ka përfituar masivisht tendera, duke e çuar numrin në total përgjatë këtyre viteve të plot 102 kontrata shërbimi. Gjici është drejtues i dy kompanive private, një që merret me shërbimet e securities dhe një tjetër që merret me ndërtim. Përmes të dyja këtyre kompanive, thuajse çdo muaj Gjici fut në xhep disa tendera. Përgjatë periudhës shtator 2013-dhjetor 2013, Gjici ka fituar 4 kontrata. Periudha janar 2014-dhjetor 2014 Gjici tejkalon në mënyrë galopante shifrën, duke fituar 40 kontrata. Por kjo prap nuk duket se ka qenë periudha më e artë e tij, duke parë se çfarë ka fituar më pas. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015, Gjici ka firmosur 58 kontrata.

Gjici, 8 miliardë lekë tendera në dy vite

Safet Gjici, kandidati i PS për Bashkinë e Kamzës në zgjedhjet e kaluara vendore dhe njëkohësisht pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre dy viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, Eurogjici. Brenda dy viteve, përmes kompanisë Eurogjici Security, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, Eurogjici ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë këtij viti, Eurogjici ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës. Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar Bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.

Përgatiti: Adrian Mziu

Exit mobile version