Dentistja mbetet në burg: Jam viktimë e një skeme pastrimi parash

Mbetet në burg stomatologia Olesia Duka, ndërsa Gjykata e Apelit në Durrës shtyn shqyrtimin e ankimimit të masës së sigurisë ndaj saj. Mbrojtja e 38-vjeçares nga Tirana, që u denoncua nga biznesmeni Idlir Hoxha nga Durrësi për mashtrim në vlerën e 900 mijë eurove, kishte ankimuar masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Por ndryshimi i avokatit nga ana e Olesia Dukës e ka bërë të pamundur shqyrtimin e ankimimit të bërë nga avokatët e mëparshëm të saj.
“Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë është vendosur gabim, sepse për klienten time flitet që ka të bëjë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kur klientja ime ka dy fakultete të gjitha me mesatare 10, do t’ia vë në dispozicion Gjykatës, por theksoj se shteti jonë nuk do intelektualë, por persona që vjedhin shtetin dhe ta mbrojnë atë”, deklaroi avokati Arben Llangozi.
Në datën 21 mars pritet të dëgjohen palët, ndërsa mbrojtja e Dukës që akuzohet për mashtrim biznesmenësh e qytetarësh në shuma të mëdha parash, pretendon pafajësi dhe se ajo është viktimë e një skeme të pastrimit të parave nga ana e biznesmenëve denoncues.
Olesia Duka, u arrestua nga policia më 25 shkurt me vendim gjykate. Arresti erdhi pas dyshimeve se, përmes mashtrimit, stomatologia i ka marrë një biznesmeni shumën prej 900 mije eurosh. Prokuroria pretendon se, Duka i ka përvetësuar shumën prej 900 mijë eurosh një biznesmeni nga Durrësi, ndërkohë që pre e mashtrimit kanë rënë 11 biznesmenë.

Artikulli paraprakShqiptari “tradhton” shokët grek për sende antike me vlerë 102 mijë euro
Artikulli tjetërFaqja e pare