Departamenti Amerikan i Shtetit emëron pasardhësin e Escobarit

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), ka emëruar Alexander “Sasha” Kasanof, Zëvendës Ndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor e po ashtu për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si pasues të Gabriel Escobar-it.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit të DASH-it, vendim ky që është marrë me 19 korrik.

“Detyrat e Sashës në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv (“Linja”), Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale”.

“Ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton. Sasha flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht”, thuhet në njoftimin e DASh-it.

Ndërsa, më herët ai kishte shërbyer si asistent ekzekutiv i ish nënsekretares për çështje politike, Victoria Nuland dhe ushtrues i detyrës së nënsekretarit për Çështjet Politike John Bass.

Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), derisa kishte mohuar pretendimet rreth shkarkimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, konfirmoi se diplomati amerikan, i cili shërbente edhe si Emisar Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, do të marrë post të ri javët në vijim.

Escobari në një bisedë me gazetarë kishte thënë se mandati i tij në këtë pozitë përfundon gjatë këtij vit.

Duke sqaruar se posti i tij kishte qenë për 2 vjet, por që kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Artikulli paraprakNë burg për abuzimin me fondet e BE, Ilir Beqaj ankimon masën e sigurisë
Artikulli tjetërÇ’mbetet pas ikjes se Joe Biden?