Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar për të parën herë zyrtarisht në lidhje me krizën e rëndë politike në Shqipëri.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit. Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.
Sikurse shihet përmes rreshtave të kësaj deklarate, Departamenti amerikan i Shtetit nuk e legjitimon 30 Qershorin, por shprehet se “po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit”.
Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.
Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale.
Ajo që bie në sy në deklaratën e parë zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit është se në asnjë rresht nuk përmendet 30 Qershori, ndërsa në lidhje me dekretin e Presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet, SHBA nuk e kundërshton atë në deklaratë.
Departamenti amerikan i Shtetit kërkon shmangien e konfrontimeve. Kjo thirrje është një qëndrim indirekt ndaj kokfortësisë së Ramës për të çuar vendin në zgjedhje në shkelje të hapur të Kushtetutës pasi nuk ka një dekret të Presidentit për zgjedhjet.
Dhe është kjo kokfortësi e Ramës, e cila do të prodhonte një konfrontim të fortë civil. Sikurse shikohet qartë ka një qëndrim të ndryshuar dhe mjaft të rendësishëm të Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me situatën në Shqipëri.