Depersonalizimi i Rinisë Shqiptare: Produkt i Një Sistemi të Kalbur Politiko-Ekonomik

Nga Sidi Hasanaj

Në Kuvendin Kombëtar të FRESH-it u manifestua në formën më të qartë realiteti i trishtë i rinisë shqiptare. Dhe ku tjetër më mirë se te rinia – si shtresa më e sinqertë dhe më pak e vetëkontrolluar – do të shfaqej fytyra e vërtetë e një shoqërie të deformuar?

Nga fjalimet e mbushura me patetizëm absurd e deri te krahasimet e pakuptimta me Diellin e galaktikës socialiste, ky aktivitet nuk ishte gjë tjetër veçse një pasqyrë e krizës së thellë intelektuale dhe morale që ka kapluar një brez të tërë. Opinioni publik u skandalizua me nivelin e ulët intelektual, me servilizmin ekstrem dhe me mungesën totale të mendimit kritik.

Por problemi nuk është thjesht tek individët që morën fjalën në atë sallë – ata janë vetëm simptoma të një sëmundjeje shumë më të madhe: një sistem politiko-ekonomik që për 35 vite ka shtypur çdo mundësi për zhvillim të lirë, duke prodhuar një rini pa ambicie, pa personalitet dhe të detyruar të përkulet para pushtetit për të mbijetuar.

Shkatërrimi i Lirisë Akademike dhe Formimit Intelektual

Rrënjët e këtij degradimi nisin që në sistemin arsimor. Universitetet shqiptare nuk janë më qendra të mendimit të lirë dhe të debatit intelektual, por janë kthyer në fabrika diplomatësh pa vlerë, të drejtuara nga individë të emëruar politikisht. Ku pedagogët janë aty si instrumente të pushtetit, është e natyrshme që studentët të mos kenë asnjë motiv për të zhvilluar mendimin kritik.

Një raport i Bankës Botërore (2023) tregoi se aftësitë akademike dhe profesionale të të rinjve shqiptarë janë ndër më të ulëtat në rajon, ndërsa një raport i PISA-s (2022) konfirmoi se shqiptarët kanë rënie drastike në lexim, matematikë dhe shkenca. Kjo nuk është thjesht mungesë investimi në arsim, por një strategji e qëllimshme për të prodhuar një popullatë të lehtë për t’u manipuluar.

Një rini e paaftësuar është një rini e varur – dhe një rini e varur është një rini që nuk kërkon llogari. Në vend që të jetë forca shtytëse e shoqërisë, ajo shndërrohet në një masë pasive, të nënshtruar ndaj pushtetit dhe e gatshme të përqafojë çdo doktrinë politike që i ofron një vend pune apo një rrogë minimale.

Kolapsi i Mundësive Ekonomike: Skllavëria ndaj Pushtetit dhe Oligarkëve

Në një vend ku bizneset më të mëdha kontrollohen nga një grusht oligarkësh të lidhur me qeverinë dhe ku çdo sektor ekonomik është i monopolizuar, mundësia për të ndërtuar një karrierë të ndershme dhe të pavarur është thuajse zero.

Të dhënat flasin vetë:
• Mbi 70% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike (raporti i Friedrich Ebert, 2023).
• Papunësia e të rinjve është mbi 25% (INSTAT, 2023), një nga më të lartat në rajon.
• Administrata shtetërore është e mbushur me militantë partie, ku punësimi bëhet me “patronazhistë” dhe jo mbi bazën e meritës.

Në këtë realitet, të rinjtë përballen me dy zgjedhje:
1. Të bëhen pjesë e sistemit – të servilosen, të puthin duart e pushtetarëve dhe oligarkëve për të siguruar një vend pune.
2. Të largohen nga Shqipëria – duke kërkuar një jetë më të mirë jashtë, ashtu siç kanë bërë mbi 500,000 shqiptarë në dekadën e fundit.

Të dyja këto zgjedhje janë një humbje për vendin. Ata që mbeten, pranojnë të jenë skllevër të pushtetit, ndërsa ata që largohen e lënë Shqipërinë të braktisur dhe të drejtuar nga e njëjta elitë politike që e ka rrënuar prej dekadash.

Politika dhe Kontrolli mbi Rininë: Një Sistem i Qëllimshëm

Kjo situatë nuk është një aksident historik – është një model i ndërtuar me kujdes nga elitat politike që kontrollojnë Shqipërinë që prej rënies së komunizmit. Nëse gjatë diktaturës së Enver Hoxhës rinia përdorej si instrument propagande për partinë-shtet, sot ajo përdoret si vegël për të ruajtur status quo-në e një oligarkie të paprekshme.

Pushteti ka ndërtuar një sistem që i mban të rinjtë të varur ekonomikisht dhe të pazhvilluar intelektualisht, duke siguruar që nuk do të ketë një brez të ri që ta sfidojë seriozisht. Në vend të një rinie aktive, me mendim kritik dhe dëshirë për ndryshim, kemi një brez të dekurajuar, të frikësuar dhe të gatshëm të pranojë çdo kompromis për një vend pune.

Për të ruajtur këtë ekuilibër të sëmurë, qeveria ka:
• Mbytur liritë akademike, duke shkatërruar universitetet dhe kontrolluar pedagogët.
• Shtypur sipërmarrjen e lirë, duke i dhënë oligarkëve monopolin mbi çdo sektor ekonomik.
• Kultivuar nepotizmin dhe korrupsionin, duke e bërë të pamundur për një të ri të suksesshëm të ngjitet pa mbështetje politike.

Kjo ka prodhuar një rini të depersonalizuar, të nënshtruar dhe pa identitet.

Përfundim: Një Rini pa Identitet, një Komb pa të Ardhme

Rinia është pasqyra e një kombi. Kur të rinjtë nuk kanë formim intelektual, nuk kanë ambicie dhe nuk kanë liri ekonomike, atëherë ky komb është i destinuar të mbetet i prapambetur.

Nëse Shqipëria vazhdon me këtë ritëm, atëherë në pak dekada do të kemi një vend bosh, të drejtuar nga një grusht njerëzish, ndërsa rinia ose do të jetë shërbëtore e pushtetit, ose do të ketë emigruar në kërkim të një jete më të mirë.

E vërteta është se të rinjtë e PS nuk janë ndryshe nga të rinjtë e PD të Sali Berishës– të dy palët e kanë ndërtuar kultin e liderit, duke u përkulur para një njeriu që u ofron pushtet.

Të rinjtë e PS venerojnë Edi Ramën, Ballukun, Gjiknurin, Elisën apo Taulant Ballën, e nga ana tjetër të rinjtë e PD (Berishës) adhurojnë verbërisht Sali Berishën e mumifikuar, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Gjin Gjonin e Jozefina Topallin.

Është një sëmundje sistemike, që ka vrarë këtë komb!

Por në këtë vend, si në çdo natë sa më të errët, ka dhe yjet e saj që bëjnë sado pak dritë.

Ka njerëz që luftojnë në tregun e oligopoleve, me forcë për të mbijetuar dhe pasur pasur sadopak sukses, ka njerëz që kanë formim intelektual të thellë, kanë mendim kritik të guximshëm… e mbi të gjitha kanë karakter!

Janë jo thjeshtë imun nga presionin i habitatit ku jetojnë, por janë dhe anti-helmi i këtij habitati.

Përgjegjësia është e tyre tashmë, ose luftojnë së bashku kundrejt errësirës së shumicës… ose si yjet digjen një nga një të vetëm!

Artikulli paraprakSi po ushqen Rama retorikën anti SPAK!