Depozitat në bankat shqiptare zbritën në 998 miliardë lekë në mars, duke shënuar rënie për të tretin muaj radhazi, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Gjatë tri muajve të parë të 2017-n, nga bankat janë larguar neto rreth 15.7 miliardë lekë apo gati 120 milionë euro, në krahasim me dhjetorin 2016 dhe ka qenë më e fortë në shkurt (-10.1 miliardë lekë). Tkurrja ka ardhur më së shumti si rrjedhojë e rënies së depozitave në lekë (-3.5 miliardë lekë), por edhe atyre në valutë (-1.8 miliardë lekë). Me bazë vjetore, (mars 2017/mars 2016), depozitat në sistemin bankar kanë shënuar një rritje minimale prej 1.7%, që ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e zgjerimit të kursimeve në valutë me 5%, ndërsa ato në lekë kanë rënë me 2%. Interesat e ulëta për kursimet, si në lekë ashtu dhe në valutë mbeten arsyeja kryesore se pse individët nuk po preferojnë të mbajnë kursimet në banka. Për depozitat 1-vjeçare në lekë norma e interesit është afër 1%, ndërsa për ato në valutë është afër zeros. Banka e Shqipërisë, në një përpjekje për të nxitur ekonominë, ka ulur vazhdimisht normën bazë, duke e zbritur aktualisht në nivele minimale rekord prej 1.25%, (nga 5.25 në shtator) çka është reflektuar dhe në uljen e normave të depozitave. Depozitat me afat të individëve në lekë kanë shënuar dhe rënien më të madhe, duke u reduktuar me gati 1 miliard euro, që nga korriku 2013, kur ato kishin arritur dhe nivelin më të lartë. Por, teksa Banka e Shqipërisë ka filluar një strategji për të ulur nivelin e euroizimit në vend, valuta vijon të mbetet monedha e preferuar e kursimeve. Në fund të muajit mars, kursimet në valutë përbënin 52.5% të totalit, nga 50.6% që ishte kjo peshë në mars të një viti më parë. Pak kohë më parë, ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të raportit të stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2016, e kanë vënë theksin te rritja e kreditimit për subjektet që nuk ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Sipas Bankës së Shqipërisë kredia që jepet jashtë vendit ka vijuar të jetë e lartë. Sektori bankar ka zgjeruar pozicionin kreditor në subjektet jo rezidente. Në dhjetor 2016, aktivet me jo rezidentët përbëjnë 27% të totalit të aktiveve, ndërsa detyrimet përbëjnë 6% të tyre. Si rrjedhojë pozicioni neto kreditor është zgjeruar me rreth 11% në terma gjashtëmujorë dhe rreth 19% në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 293 miliardë lekë. Ekspertët e bankës sqarojnë se në maj të vitit 2013, Banka e Shqipërisë ndërmori disa masa për të zbutur tendencën e kreditimit jashtë vendit, që dha efekte. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016 rritja e shpejtë e burimeve të financimit në valutë dhe ulja e efektit penalizues të këtyre masave është reflektuar në zgjerimin e aktiveve me jo rezidentët me rreth 15.6% me terma vjetore, në mungesë të alternativave të mjaftueshme të investimit në vend. Kredia e dhënë për subjektet jashtë vendit ka arritur në 67 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro. Ekspertët e bankës pohojnë se nuk ka kufizime sasiore për këtë lloj kredie, ndërsa ajo ponderohet me një normë më të lartë rreziku. Rreziku nga ekonomia e brendshme vijon të jetë e lartë, sipas matricës së publikuar nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, bankat mëmë mund të kenë reduktim të veprimtarisë në rajon dhe kjo tendencë duhet vlerësuar, theksuan ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Rreziku i kreditit u ul përgjatë periudhës, ndonëse mbeti pranë nivelit të një viti më parë, kreditë me probleme u ulën në 18.3%, mbulimi i kredive me probleme me provigjione dhe kapital u përmirësua, koletarizimi i kredive është i qëndrueshëm, si dhe shpërndarja sipas monedhës, sektorëve dhe bankave është më e mirë. Në uljen e kredive me probleme kanë ndikuar proceset e mbledhjes, ristrukturimit dhe largimit të tyre nga bilancet. BSH thekson se zhvillimet janë pozitive dhe inkurajuese, por procesi i uljes së kredive me probleme përmban pasiguri. Bankat munden të ruajnë fokusin në këtë proces. Rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët nga Banka e Shqipërisë. Kjo për shkak të vlerës së ulët të raportit kredi/depozita, vijimi i rritjes së depozitave, prania e lartë e aktiveve likuide dhe rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës. Sipas monedhave, rreziku i likuiditetit në valutë është më i lartë se ai në lekë, ndaj kjo duhet të reflektohet në rritjen e kërkesës minimale për aktive likuide në valutë (deeuroizim).
Kryesore
Continue to the categoryShqiptarët financuan nga xhepi 160 mln euro produkte farmaceutike më 2024
Vit pas viti, kostot e shpenzimeve nga xhepi për blerjen e barnave po shtohen për arsye se nevojat për mjekim të një popullsie në...