Nga Gëzim Tushi
Tani që po afrojnë zgjedhjet, politika parlamentare dhe skakierat respektive të përfaqësuesve të saj janë të detyruar të kalojnë shumë prova të sigurimit të kredibilitetit paraelektoral, lidhur me performancën dhe efikasitetin katërvjeçar në angazhimin e personalizuar parlamentar. Një test që duhet kaluar, pavarësisht rezultatit. Tani është koha e vlerësimit të dyanshëm: edhe “en bock” për garën strukturore të partive konkurruese, po aq edhe “a la page”, si vlerësim sintetik për punën dhe vlerat politike të nominuara për secilin nga deputetët. Qoftë për ata që aktualisht janë pjesë e strukturës parlamentare, apo atyre që aspirojnë për t’u bërë të tillë.
Ndërkaq, kjo kohë është edhe e dobishme për qytetarin dhe vendimmarrjen politike. Është pikërisht tani, koha paraprake për të analizuar me gjakftohtësi e pjekuri qytetare, madje edhe diagnostikuar në thellësi se si i ka pasur marrëdhëniet politika, partitë dhe individualisht deputetët e gjithë krahëve me qytetarin. Këtë situatë e kanë ndjerë edhe deputetët, të cilët si gjithnjë në prag fushatash zgjedhore, ndryshojnë tipologjinë e shfaqjeve politike dhe performancën komunikative me të gjitha format e mundshme, reale dhe virtual, individuale e komunitare.
Një akselerim natyrisht pak i “sforcuar” politik personal i deputetëve, të cilët kanë filluar të intensifikojnë “takimet e ngrohta” në grupe, por edhe të personalizuara, të ftojnë qytetarët në takime, darka e dreka “pune” për t’u njohur me hallet e tyre dhe për të ofruar zgjidhjet në mandatin e ardhshëm, nëse atë do e fitojnë. Disa veprime déjà vu janë daljet në media dhe rrjete sociale, madje edhe duke shërbyer “pjata me ushqim”, si mjet për të treguar empatinë politike që gëzojnë në fashat elektorale, apo për të ridimensionuar kontributin e munguar personal dhe për të shtuar kuotat e afeksionit të publikut.
Kanë filluar skenat deri në nivele qesharake, të pështira. Të lexueshme si stratagjema e përpjekje të sforcuara momentale, si mjet për të zgjidhur hallin politik personal apo synimin ambicioz madje deri karrierist, për të qenë me çdo kusht deputet edhe në Parlamentin e ardhshëm. Një pjesë prej tyre, edhe pse kanë qenë deputetë anonimë, pa staturën personale dhe kulturën politike adekuate të deputetit. Disa prej të cilëve të evidentuar në jetën politike e publike, si njerëz me integritet personal të lëkundur. Por duke qenë se politika për disa është kthyer në “drogë personale”, edhe pse i dinë kuotat e rrënuara në jetën qytetare, përsëri po bëjnë përpjekje me të gjitha format dhe mjetet, madje edhe duke u zvarritur për ta kapur me çdo kusht një karrige parlamentare. Ka filluar të shfaqet një patologji në sferën e deputetëve, sidomos e atyre që janë dalluar për mungesë dijesh, parazitizëm, vanitet politik, velje prej rehatisë parlamentare, apo si pjesë e një grupi të caktuar, duke e parë veten “bosh” përpiqen të evidentohen si pjesë e grupit apo e deputetëve aktivë e me personalitet, duke u fshehur pas meritave të tyre.
Duke e parë fenomenin sociologjikisht, më duket se kjo dukuri është tipike, për ata deputetë që duke qenë të zbuluar nga meritat personale të munguara, duan të “zbukurohen me puplat” e grupit parlamentar respektiv. Ka pasur të drejtë ish-Kancelari Helmut Kohl, i cili këtë kategori politikanësh dembelë, parazitë, të paaftë e vanitozë i ka quajtur “skutha që mbahen me bukë nga puna e njerëzve të zellshëm”. Për fat të keq nuk më duket se një pjesë prej tyre, nuk kanë kuptuar kohën dhe imperativat e saj, për pasojë kanë besim naiv se do mund të vazhdojnë të bindin qytetarin me slogane të thata politike apo debate skolastike doktrinare të “dala boje”, shoqëruar me dialogë empirikë të neveritshëm, që dëshmojnë se ata ose janë pa kulturë apo nuk kanë njohuri e koncepte të qarta për politikën dhe përgjegjësitë e saj. Edhe pse ju mungojnë aftësitë e veçanta, imperative për statusin e politikanit profesionist, atyre nuk u bëhet vonë. Sepse udhëhiqen nga interesi pragmatist, për të qenë me çdo kusht në “elitën politike” profesioniste të vendit, duke e parë atë në mënyrë sempliste si “qokë partiake” dhe jo si mision, por si mjet për rehati, komoditet, si “pedanë” për famë publike apo si mjet për të plotësuar dëshirat personale e familjare ekstrapolitike, abuzive e nepotike.
Kam përshtypjen se shoqëria shqiptare sociologjikisht dhe politikisht, është më e interesuar se kurrë për raportin e integruar të tyre si qytetarë, votues dhe zgjedhës për të përmirësuar me votën e tyre cilësinë e atyre që pretendojnë të jenë të zgjedhurit politikë të 11 majit. Nuk ka pse i fshehim të vërtetat e realitetit tonë politik e social. Qytetarët i kanë marrë zët politikanët, jo se nuk e duan politikën dhe aktorët interpretë të saj (politikanët). Jo! Por qytetarët kanë të drejtën e “Zotit”, të bëhen cinikë ndaj disa politikanëve pa integritet personal, sidomos të atyre që kanë treguar paaftësi, “memecëri politike” vanitet parlamentar, duke mos e përballuar “ngarkesën e angazhimit” si deputet. Nuk ka gjë më qesharake se sa pozita e njerëzve që përzgjidhen mekanikisht dhe duan të shfaqen si “militantë të regjur” politikë. Kur në të vërtetë bëhen të tillë nga interesi i tyre. Jo, aspak nga aspirata politike. Mirë, dakord, nuk është faji i tyre, por i atyre që i përzgjedhin dhe i atyre që i zgjedhin. Por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhesh qesharak, nga nevoja për dukje dhe përmes shfaqjes së sforcuar të militantizmit butaforik. Aq më tepër, që nga mungesa e kulturës politike dhe paaftësia kulturore, shfaqesh para elektoratit me ide të hallakatura.
Tani jemi para zgjedhjeve. Ky është moment me rëndësi për jetën demokratike, sepse përmes zgjedhjeve të majit të ardhshëm, do të evidentohet parapëlqimi i qytetarëve për klasën politike që do përzgjedhë përmes votës së lirë, duke nxjerrë mësimet e duhura për ata politikanë që vetëm kanë “recituar slogane” politike, kanë perifrazuar në mënyrë automatike idetë, madje të mbështetur fort në frazeologjinë e liderëve të tyre. Koha postmoderne kërkon deputetë që janë në gjendje të bëjnë analiza me ton personal dhe jo me imitime liderësh, sepse politika nuk është art i papagallëve, por i mendjes pjellore”, ka thënë Viktor Frankl. F. 204. Është fare evidente që ky Parlament që po mbyll mandatin, ka nxjerrë shumë probleme që kanë të bëjnë me rolin, statusin dhe staturën e deputetëve si politikanë. Në vlerësimin mikrosociologjik të këtij komuniteti politik, sidomos të pozitës publike politike personale të shumë deputetëve, në mënyrë të dukshme shfaqet një e metë e madhe që duhet kapërcyer në zgjedhjet e ardhshme.
Në Parlament nuk mund, nuk duhet të futen njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me politikën profesioniste, apo që nga mungesa e kulturës së përgjithshme dhe asaj politike, atyre jo vetëm nuk u “ngjit” nuk i përshtatet “trupit politik” të tyre, janë të paqartë, të paaftë për t’u inkorporuar në këtë “zanat të çuditshëm”. E megjithatë, pasi ne i zgjedhim tipa të tillë deputetësh, ata nuk e kanë problem, nuk e vuajnë statusin e tyre të cenuar e problematik. Madje, e kanë shtyrë për “mrekulli”, edhe pse me kulturë të copëtuar dhe autoritet të amullt. Ata janë tipa që me siguri i kanë shijuar kënaqësitë material, famën e pamerituar, por as kanë ndjerë asgjë nga rreziqet dhe pakënaqësitë e natyrshme e të pashmangshme të saj. Nuk është e lehtë që sociologjikisht të bësh një vlerësim objektiv të staturës së deputetëve, të ndash se sa prej tyre e kanë menduar politikën si mision dhe sa si biznes. SPAK-u po zbulon ca të vërteta të hidhura të politikanëve, që kanë poste e pozicione politike në jetën publike. Përditë po dalin personazhe të rëndësishëm të jetës politike, të cilët me siguri që do jenë të turpëruar, të pambrojtur nga ligji dhe “erërat e opinionit publik”.
Është shtuar numri i politikanëve që kemi zgjedhur, që jo vetëm nuk janë të besueshëm individualisht, por që e kanë humbur atë plotësisht në jetën publike. Sociologjikisht dhe politikisht, nuk është çështje formale apo thjesht nominale dhe e personalizuar, çështja e vlerësimit të performacës politike, staturës kulturore e intelektuale të politikanëve tanë. Kjo është përtej kësaj paradigme, sepse politikanët kanë rolin e tyre në ndërtimin e rendit politik, social dhe ekonomik. Sociologët e kohës sonë, me të drejtë thonë se kur tronditet rendi social dhe politik në shoqëri, kjo do të thotë se jemi në momentin kur politikanët “mendojnë vetëm për vete”. Dhe besoj se kësaj sindrome patologjike, nuk i kanë shpëtuar shumë nga politikanët tanë. Koha do e tregojë madhësinë dhe intensitetin e kësaj patologjie politike. Por besoj se tani në këto zgjedhje kemi realitete të reja, sepse shoqëria shqiptare politikisht është më e pjekur.
Qytetarët shqiptarë kanë dalë tashmë nga gracka e iluzioneve politike. Politika është punë me vlera dhe përgjegjësi të madhe. Ajo nuk është lojë dhe nuk merret me probleme fiktive, por me çështje me rëndësi politike e jetike për individin dhe shoqërinë. Tani është koha kur kemi kohën e duhur për të bërë diskursin e duhur, për të zgjedhur elitën politike dhe përcaktuar me votën tonë se cili duhet të jetë statusi i politikanëve dhe deputetëve që do zgjedhim. Është moment kur me pjekuri politike e përgjegjësi qytetare duhet të mendojmë, se tani është koha për një militantizëm ndryshe. Nuk na shërben, nuk ndihmon plotësimin e interesave tona personale dhe publike, koncepti sektar i “partishmërisë së ngurtë” apo i “mbështetjes së verbër” njerëzve me aftësi të kufizuara, që nuk kanë dalë nga kornizat e vjetra të politikës dogmatike. Shqiptarët kanë kohë janë në pritje të një politike modern, të realizuar nga politikanë që kanë aspirata për t’i shërbyer shoqërisë, jo thjesht dhe vetëm vetes…