Deputetë lexoni historinë e Shqipërisë

Nga Enriketa Papa

Politikanët duhet të lexojnë më shumë nga historia e këtij vendi. Ngjarjet që ndodhën sot, janë përseritje të përplasjes së madhe pozitë-opozitë, të varur-të pavarur, sidomos gjatë gjysmës së parë të viteve 1920-të. Vendi në ato vite u karakterizua nga një përplasje e egër, me atentate, grushta e sharje, linçime, ekuilibri dhe normalizimi i klimës politike, dukej pothuajse i pamundur.

Ironia e votimit të sotëm, ku pinjollë të familjeve të persekutuara, të vrara, të internuara, të zhvatur nga prona dhe ata që ende e konsiderojnë veten të djathtë, opozitarë të vërtetë, bashkuan votat për “inat të Lulit” me pinjollët e familjeve që në pjesën dërrmuese kanë patur përgjegjësi, për zbatimin e diktaturës në Shqipërinë komuniste.

Secili merr vendimet dhe bën zgjedhjet personale, qoftë për të qëndruar në anën e integritetit dhe moralit politik, qoftë për t’u lekundur, ndërruar mendje, mikluar, dhe kaluar Rubikonin dhe bërë pakt me djallin.
Votimi sot, duke bashkuar votat me PS, për të falur ofiqarët e korruptuar, drejtorët arrogant dhe gjyqtarë dhe prokurorë për shperdorim detyre, korrupsion, shkelje barazie në tendera, përmban dhe një aspekt tepër inteesant për t’u studiuar.

Ky aspekt nuk ka aq lidhje me politikën, se sa me kqyrrjen dhe studimin e sjelljes së atyre që votuan nga opozita. Një veçanti që ceket nga teoritë mbi bihejviorizmin, sjelljen njerëzore përballë sfidave dhe konfliktit. Nga vëzhgimi prej kamerave të transmetimit live televiziv, të secilit deputet/e berishist(e) ishte mbresëlënëse, për dikë që studion gjestikën trupore dhe bihejviorizmin human tek aktorët që janë përballë vendimarrjeve sensitive dhe me impakt për ata vetë dhe publikun.

Gjestika trupore, kafshimi i buzëve, ngrënia e thonjve, skërmitja e dhëmbëve, moskontrolli i trupor, zbehja, shtrembërimi i fytyrës, zgërdheshja, rrotullimi i syve, miratimi me kokë, ulja e kokës, eksitimi emocional, kafshimi i dhëmbëve, afrimi i kokave, teksa kundërshtari fliste, ishte interesante për t’u studiuar.

Megjithatë, për disa kjo është politika. Mobile, lëviz sa andej këndej. Për disa s’ka shtyllë kurrizore. Kot nuk e quajnë që qëmoti ,të përdalë!

Për ironi të gjithçkaje dhe gjithkushit që ka kopjuar dhe promovoi “revolucionin demokratik” për të shembur pushtetin e sotëm, ju sjell në vëmendje atyre që veç histori nuk lexojnë. Simboli i revolucionit demokratik, Fan Noli, tentoi të votonte një amnisti në parlamentin shqiptar, për ata të akuzuarit për vepra politike, si rezultat i ngjarjeve të Marsit 1922.

Por dhe të ndryshonte ligjin elektoral, nga votimi i përfaqësuar në atë të drejtëpërdrejtë. Por nuk ia doli. Pozita e atëhershme ia hodhi poshtë.

Çfare vijioi, ishte vetëm polarizim, pakënaqesi, agresivitet dhe përfundimi tek marrëzia e Revolucionit të Qershorit 1924, një puç i pastër shtetëror. Ngritje strukturash paralele dhe mosnjohje ndërkombëtare dhe dështim total politik, i ndjekur nga një azil, që për disa ishte i përjetshëm.

Ndërsa këta “opozitarët e vërtetë”, sot 100 vjet pas, bashkojnë votat për të falur, ulur dënimet ofiqarëve të pushtetit dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, për të treguar unitet të çeliktë ndaj atij që 2 vjet më pare ngritën dorën ta përjashtonin nga partia. Sot votuan propozimet e tyre në dakordësi me pushtetin, duke mos u kujtuar, evituar të mendojnë, pse nisi gjithçka.

Ndër ta, dhe triumvirati udhëheqës, që emocionohej, teksa po “ia fuste pengut” dhe zgërdhihej dhe eksitohej në kurriz të atyre që deri sot ju kanë besuar, se e kishin seriozisht politikën dhe opozitarizmin përballë pragmatizmit.

Opozitën e vërtetë, historia do e gjykojë, por sot fakti mbetet që votuat për të ruajtur status quo e sistemit politik dhe shtrirë rrugën autokracisë elektorale të Ramës.

Exit mobile version