Nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë janë në listën e Prokurorisë me dyshimin se ata janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Lajmi është mësuar nga burime të gazetarëve, ndërsa Prokuroria zyrtarisht ende nuk ka reaguar, por as nuk e ka mohuar këtë listë të dalë mesditën e djeshme në media. Referuar burimeve, mësohet se Prokuroria u është drejtuar autoriteteve italiane, Europolit dhe zyrës qendrore të Interpolit për të kaluarën e këtyre 9 zyrtarëve. Dyshohet se disa prej deputetëve dhe krerëve të bashkive kanë kryer vepra të rënda penale në vende të ndryshme të BE-së që nga trafiku i drogës e deri shfrytëzimi për prostitucion. “Top Channel” e verifikoi listën e Prokurorisë së Përgjithshme nga burime zyrtare dhe rezultoi se 6 prej tyre janë deputetë dhe 3 kryebashkiakët e Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit. Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi janë deputetët që “Top Channel” konfirmoi se po verifikohen nga Prokuroria. Ndërkohë Mhill Fufi është i përjashtuar nga grupi i PD, pas votës së tij për një nga shtatë ligjet e drejtësisë dhe nga PD konsiderohet si votues i mazhorancës. Deputeti Artan Gaçi reagoi i surprizuar pas lajmit për verifikimin e tij nga Prokuroria dhe tha se kurrë nuk është ndaluar, arrestuar apo dënuar në Europë apo vende të tjera. Sipas deputetit socialist, nëse do të kishte ekzistuar ndonjë dyshim, ai nuk do të lejohej të hynte me dhjetëra herë për vizita zyrtare në Senatin dhe bashkitë e Italisë. Ajo çfarë bie në sy është se Prokuroria ka përfshirë në proces edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burime të besueshme konfirmuan për “Top Channel” se, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në KQZ disa shkresa me përmbajtje të njëjtë për 9 funksionarët publikë, duke kërkuar informacion se në çfarë stadi verifikimi janë formularët e tyre të dekriminalizimit. Ky është një proces që KQZ-ja e ka kryer prej disa muajsh, kur u bë edhe mbledhja e formularëve të deklarimit dhe konfirmohet se përgjigjja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është se 6 deputetët dhe 3 kryebashkiakët nuk janë në pozitat e humbjes së mandatit. Përgjigjja zyrtare e KQZ është nisur të hënën drejt Prokurorisë, e cila është e vetmja hallkë që mund të hetojë për të shkuarën e këtyre zyrtarëve, jashtë kufijve të vendit dhe më thellësisht në kohë dhe në përmbajtje.
Kapri: Asnjë lidhje me LSI, asnjë problem me të kaluarën
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, ka reaguar pas lajmeve të publikuara në media, lidhur me të shkuarën e tij. Përmes një shkrimi në Facebook, Kapri, sqaron se ai është një figurë e pastër dhe i papërlyer, duke shtuar se gjatë kohës që ai ishte kandidat për kreun e Bashkisë së Pogradecit, ka qenë në fuqi dhe ligji i dekriminalizimit. Ndërkohë thekson se ai është i zgjedhur nga populli i Pogradecit për detyrën që ka dhe është një figurë politike që i përket PD-së, dhe nuk ka qenë asnjëherë në të shkuarën pjesë e LSI-së. “Dua të komunikoj me publikun, në lidhje me një lajm të pavërtetë që po shpërndahet në media pa u ndalur, edhe pse nuk ka asnjë fakt, dhe asnjë bazë ku të qëndrojë. Unë si i zgjedhur në këtë detyrë të lartë, jam i hapur dhe respektoj çdo ligj të vendit, dhe madje e vlerësoj shumë atë të dekriminalizimit. Kur kam vendosur të kandidoj për kryetar bashkie në Pogradec, ligji ka qenë në fuqi, dhe sigurisht nuk ka qenë pengesë për mua. Jam i hapur për çdo verifikim ndërkohë që KQZ ka konfirmuar vërtetësinë e çdo fakti në formular. Nuk kam pasur asnjë problem në të kaluarën time, dhe me besim të madh jam se s’do të kem as në vazhdim, sepse e kam vendosur të mos bëhem asnjë ditë pjesë e asnjë krimi. Ajo për të cilën nuk jam i hapur, janë mashtrimet, trillimet dhe intrigat politike. Unë kam fituar zgjedhjet si kandidat i Partisë Demokratike dhe politikisht i përkas kësaj force politike. Nuk kam qenë kurrë pjesë e LSI. Redaksia e lajmeve në ‘Top Channel’ ka reflektuar duke korrigjuar lajmin. Qytetarët e Pogradecit sot kanë nevojë për punë, për zhvillim, për mirëqenie. Përpara kemi protestën e datës 18 shkurt ndaj është detyra e të gjithëve ne dhe çdo qytetari të protestojmë kundër padrejtësive, kriminelëve të vërtetë në pushtet, varfërisë dhe kaosit që po përjeton sot vendi”, thekson Kapri në reagimin e tij.
Bushi i Krujës në listën e largimeve
Mediat raportuan dje se në listën e Prokurorisë është edhe kryetari socialist i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Emri i tij është denoncuar disa herë edhe nga opozita për lidhje në trafikun e drogës. Artur Bushi është i implikuar me vepra të rënda kriminale në Itali. Ndaj tij rëndojnë akuza si i përfshirë në trafik droge dhe prostitucioni. Bushi rezulton të ketë qenë i arrestuar nga policia italiane për trafikun e kokainës nga Holanda në Itali dhe gjithashtu ai rezulton të jetë dënuar në Napoli për trafikun e prostitucionit. Në formularin e dekriminalizimit Bushi thotë se është arrestuar dy herë në Itali, një herë për arsye që atij nuk i kujtohen dhe një herë tjetër për trafikim të lëndëve narkotike. E vërteta është disi ndryshe. Në arrestimin e parë, të cilin ai e pranon në formular dhe që ka ndodhur në vitin 1996 në Caserta të Italisë, arsyeja e mbajtjes së tij në qeli ka qenë për trafik prostitucioni. Ai ka mundur që të dalë sërish nga burgu në një mënyrë të dyshimtë dhe pas një pakti të pistë me autorë të kësaj historie. Gjithsesi ky hetim dhe ky arrestim nuk e nxjerr atë të pastër edhe nga kjo vepër penale, pavarësisht se ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Prenga, në Itali dosje me krime me identitet tjetër
Deputeti socialist, Armando Prenga, të cilit Rama i ka dhënë Lagunën e Patokut për afera biznesi është i përfshirë në aktivitete kriminale në Itali dhe vende të tjera të Europës dhe për shkak të problemeve me drejtësinë ai ka ndryshuar identitetin atje. Në dosjet e drejtësisë italiane ai rezulton person me precedentë të rrezikshëm si i përfshirë në trafik droge e prostitucion, si dhe vepra të tjera penale. Bëhet e ditur se deputeti Armando Prenga në Itali kishte ndryshuar identitetin për shkak të problemeve me drejtësinë. Por ai gjeti strehë tek Rama dhe grupi i deputetëve socialistë. Pas futjes në Parlament, Rama e përdori Prengën për të ushtruar dhunë ndaj deputetëve të opozitës. Por nga ana tjetër, Prenga njihet edhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015, nën akuzën e “Plagosjes së rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosje serioze për vrasje”. Deputeti ishte njëri prej 6 të arrestuarve në flagrancë pas një përplasjeje me armë zjarri e mjete të ftohta mes disa pjesëtarëve të familjes Cali dhe familjes Prenga. Konflikti kishte të bënte me pronësinë e Lagunës së Patokut, ku deputeti socialist zhvillonte aktivitetin e tij duke kërcënuar me forcën e pushtetit familjen Cali. Të dyja familjet ishin në procese gjyqësore në lidhje me pronësinë e Lagunës. Falë ndërhyrjes së Ramës, Prenga u lirua nga burgu duke u rikthyer në Parlament. Ai sërish përdoret nga Rama, si llogari numrash për të miratuar apo rrëzuar ligje.
Enton DACI