Deputetët e PD: Rezistencë deri në garantimin e zgjedhjeve të lira

Deputetët demokratë shprehën dje mirënjohje për qendrestarët e lirisë në shesh dhe u shprehën se nga sheshi do dilet vetëm me kauzën e realizuar me qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme, për një republikë të re të lirë nga krimi dhe bandat dhe për një Shqipëri të mundësive të barabarta për të gjithë shqiptarët.
Eduard Halimi tha se në këtë parlament nuk ka vend për shqiptarët e lirë, pasi ai është marrë peng nga krimi dhe droga: “Kjo është e enjtja e dytë që nuk shkojmë tek parlamenti fasadë, por vijmë tek ky, Parlamenti i vërtetë, parlamenti i qytetarëve. Nuk ka më dyshim se ai parlament atje është strehë e krimit, strehë e personave me rekorde të tmerrshme kriminale, ai parlamenti atje është parlamenti më i inkriminuar i këtyre 26 vite të Republikës së Shqipërisë. Aty në parlament u strehuan deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, ish-trafikantë droge, trafikantë prostitutash, grabitës dhe gjetën strehë atje tek parlamenti i krimit, gjetën strehë në një parlament që u bë strehë e krimit, të kontingjentit më të fortë të krimit. Ai parlament krijoi qeverinë e krimit. Ka vetëm një njeri që me firmën dhe vulën e vet i solli në Parlament dhe ai është Edi Rama, është ai që nënshkroi kontratën më të keqe, kontratën me krimin. Kontrata e politikës me krimin, është kontrata më vrastare. Një qeveri e lidhur me krimin, nuk mund kurrë të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Aldo Bumçi u shpreh se, kjo protestë është zgjidhja për të fituar ndaj këtij pushteti të korruptuar e inkriminuar: “A do e kishit arritur këtë fitore banorët e Zharrëzit po të kishin ndenjur në shtëpi? Jo, nuk do ta kishin arritur, do vazhdonin me pasiguri. Pra, protesta ishte zgjidhje për Zharrëzin, protesta është zgjidhje për gjithë shqiptarët. Protestuan një ditë, dy ditë apo me javë?! Jo, protestuan me ditë, me javë, me grevë urie, morën rrugën në këmbë nga Zharrëza drejt Tiranës. Prandaj, jo vetëm protesta, por duhet durim, të rezistojmë dhe të jemi të palodhur. Protesta është zgjidhja, nuk ka zgjidhje tjetër”.
Irma Kopliku tha se: “Ne do jemi për votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve, sepse vetëm vota e lirë zgjedh qeverinë që meritojnë shqiptarët. Ndaj problemi numër një që kemi të gjithë shqiptarët janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kauza më e drejtë dhe legjitime”.
Mimoza Hajdarmataj u shpreh që: “Nuk ka gjë më të dhimbshme se sa lotët në sytë e një nëne. Si deputete kam parë këto vite shumë nëna tropojane, hasjane, e kuksiane me lotë në sy që i vënë fëmijët të flenë pa ngrenë. Ju bëj thirrje të gjithë nënave që të protestojmë edhe për ato që nuk vijnë dot deri këtu”.
Asllan Dogjani tha se: “Shqipëria sot është në rrezik dhe e ardhmja e fëmijëve tanë është e rrezikuar për shkak të bandave, krimit të organizuar, drogës dhe kultivimit të saj. Ju jeni dëshmitarë se si u kultivua masivisht në vitin e kaluar. Por e keqja është se ky kultivim u bën nën mbikqyrjen e ministrit të Brendshëm dhe një pjesë e strukturës së policisë”.
Liljana Elmazi u shpreh se, “Rama ka rënë dhe sot nuk ka qeveri. Nuk ka asnjë autoritet që të mbrojë shqiptarët. Nuk ka nxjerrë asnjë ligj, dhe zbaton vetëm ligjin e mafies. Sot në këtë shtëpi të lirisë ne kemi një mision të madh dhe këtu po shkruhet një histori politike të re politike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtu ka lindur një republikë e re”.
Kozma Dashi tha se: “Pranvera e lirisë po vjen nga çadra e lirisë. Dhe çdo pranverë ka lulet e saj dhe dy lule ishin nga Fieri. Gladiola dhe Antoneta Hatillari, dy binjake, dy lule të pranverës së re shqiptare u dhunuan nga horrat në mes të Fierit. U rrahën dhe na kërkojnë të shkojmë në zgjedhje. A shkohet kështu në zgjedhje? Nga Fieri erdhi protesta e Zharëzës dhe sot Shqipëria është kthyer e gjitha në një zharrës. Arroganca që nuk pyet për njeri, që oligarkët e ARMO-s detyrojnë fierakët të hipin majë oxhaqeve, të blenin jetën e tyre me rrogat e papaguara. Tek shtëpia e lirisë ne u themi që do e çojmë këtë punë deri në fund e pa kthim deri në fitore”.

Artikulli paraprakPaloka: Firmat e Ramës për Vetingun me letra higjenike
Artikulli tjetërMirela Kumbaros i vihet shiriti “Skenë Krimi” për Velierën