Edi Rama nuk do deputetë, por statistika, hije që mbushin grafiqe…
Në workshopin e përvitshëm të Edi Ramës me qeverinë e tij për të ashtuquajturën analizë të ministrave e deputetëve, më shumë kanë pasur peshë ‘power -point’-et se objektivat reale të mazhorancës. Një qasje burokratike që kriteret për të matur punët e ministrave apo deputetëve, nuk ka objektivat, premtimet, apo edhe popullaritetin, por ca njësi matëse që nuk ekzistojnë në asnjë sistem metrik.
Është bërë tashmë meme fjalimi i ish-ministres nën hetim të Bujqësisë, Frida Krifca që sot është këshilltare e Edi Ramës. Frida foli për hapjen e Akademisë së Barinjve. Një gomarllëk i pastër që asnjë mendje normale e një nxënësi në klasë të gjashtë nuk do e rrokte në tru, përveçse një vartëse e mjedisit absurd të Bablokut.
Edhe në lidhje me deputetët, Edi Rama nuk do që parlamentarët e PS-së të jenë popullorë, të kenë përkrahje nga komuniteti. Pasi e di se nëse ndodh kjo ai do të jetë më i pavarur. E madje, ata deputetë që kanë pëlqyeshmëri në komunitet nuk pëlqehen nga fortgjatësia e tij.
Ai nuk do deputetë, por statistika, hije që mbushin grafiqe. Prej vitit 2013 kur PS është në pushtet, mazhoranca nuk ka pasur asnjë deputet me zërin e tij. I vetmi, Ben Blushi, u ndëshkua menjëherë nga Edi Rama, duke i treguar derën jashtë politikës. Sot nuk ka një deputet që të flasë për komunitetin që përfaqëson në Parlament, pasi nuk e lejon kush. Deputetët urdhërohen jo nga krerët e grupit parlamentar të PS-së, por nga sektori i propagandës që drejton Endri Fuga. Ai cakton njerëzit që do të dalin në emisionet televizive për të mbrojtur mazhorancën, duke i diktuar si do të paraqiten e çfarë do të thonë. Ka pasur raste që deputetë të ndryshëm e kanë prishur këtë skemë, por më pas ata nuk i kanë ftuar më televizionet.
Sepse edhe panelet e darkës, të ftuarit i marrin o nga Fuga o nga ai Lela i Saliut. Në çdo vend normal, një deputet gjykohet nga mbështetja popullore, këtu është e kundërta.
Në vendet normale të perëndimit kemi deputetë që në disa legjislatura përfaqësojnë një zonë zgjedhore apo një komunitet, pasi kështu parlamentari mban premtimet dhe fiton eksperiencë për të shërbyer më mirë.
Këtu tek ne, një deputet i Vlorës, pas dy vitesh kalon në Tropojë dhe një parlamentar i Pogradecit shkon në Divjakë, kurse dikush që ka përfaqësuar Skraparin e çojnë në Dibër.
Një sistem skandaloz që nuk është parë as në kohën e diktaturës. Pasi deputetët nuk janë individë por statistika. E duke risjellë gomarllëkun e Frida Krifcës për Akademinë e Barinjve, ashtu i konsideron Edi Rama deputetët e tij, pasi pjesa më e madhe e tyre thirren në workshope ose nga Fuga, ose nga degët periferike të partisë së Erdoganit në Anadoll. Ata thirren si numërorë topi për të mësuar sesi rrihet gjatë në pushtet./Pamfleti