Deputetët holandezë: Integrimi i Shqipërisë, i rrezikuar

Informacionet se janë shtetasit shqiptarë që prijnë në listën e kërkesave për azil, nuk e kanë mirëpritur as deputetët holandezë. Ata madje besojnë dhe paralajmërojnë, se ky fluks prurjesh nga Shqipëria, dëmton procesin e integrimit të vendit në BE. Numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë në Holandë gjatë muajve të fundit ka sjellë reagime të ashpra të deputetëve të këtij vendi. Ata kanë paralajmëruar se rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Malik Azmani, deputet i Partisë VVD: “Unë mendoj që kërkesat për azil nga shqiptarët, por dhe vendet të tjera të sigurta duhet të zgjidhen brenda ditës.
Në qoftë se refuzohen, ata duhet të rikthehen menjëherë në Shqipëri. Unë e kuptoj shumë mirë se për Shqipërinë kërkesat janë të turpshme dhe prandaj e kuptoj nëse shteti do të marrë masa për këtë fenomen. Shqipëria kërkon të bëhet pjesë 3 Bashkimit Europian. A mendoni se e justifikon integrimin kur në Holandë numri më i madh i azilkërkuesve janë shqiptarë? Patjetër vendi duhet t’i plotësojë kushtet, që njihen ndryshe si kriteret të Kopenhagenit. Por ky fluks nuk do t’i ndihmojë Shqipërisë në këtë proces. Në kuadrin e imazhit të Shqipërisë për Holandën kjo nuk do të funksionojë për mirë nëse shqiptarët janë njëkohësisht në procedurat e aplikimit për azil. Aq më tepër në kohën kur shqiptarët ankohen për ushqimin dhe vjedhin… Do t’i përgjigjesha me një deportim të shpejtë që të hanë çorbë në shtëpitë e tyre”.
Mona Keijzer, deputet i Partisë opozitare CDA: “Unë do ta këshilloja qeverinë holandeze që të përshpejtojë procedurat për azil, që njerëzit ta kuptojnë shumë shpejt që do të kthehen. Po ashtu duhet të ndalojmë ndihmën financiare për këta azilkërkues. Por që të ulim fluksin na duhet dhe ndihma e Shqipërisë. Ne na duhet patjetër që qeveria shqiptare t’i këshillojë qytetarët të saj, mos ikni sepse këtu nuk ka shanse për azil”. Jowl Voordewind, deputet i Partisë opozitare CU: “Unë mendoj që është mirë nëse shqiptarët kontribuojnë në vendin e tyre, në vend që të kërkojnë azil. Unë e kuptoj se vijnë në Holandë për punë, sepse në vendin e tyre ka një papunësi të lartë. Por është e qartë që ata nuk janë refugjatë”.

Exit mobile version