Kreu i Demokratëv e Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ndarë momente nga takimi i Harkut Opozitar Euroatlantik, duke i shoqëruar me një mesazh për deputetët opozitarë, të cilëve u kërkon të mos bëhen dele në thertoren e fundit të tranzicionit, por të votojnë amendamentin e tij për lista 100% të hapura.
Bashës shprehet se Berisha dhe të tijët harruan kërkesat për koalicione dhe për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndërsa e vetmja kërkesë për Edi Ramën ishte ajo për mbajtjen në këmbë marrëveshjen e 2008-ës mes kryeministrit dhe ish-kryeministrit, e cila fuqizon vetëm Ramën dhe Berishën, bashkë me klientelën e tyre ekonomike.
Statusi i Lulzim Bashës:
“Ata që akuzonin për marrëveshje me Ramën, janë sot ortakët e qeverisë më të korruptuar në Europë, në atentatin e përbashkët ndaj demokracisë, në pazarin e amnistisë ndaj të korruptuarve, në pazarin e vulës dhe atë të sabotimit të Reformës Zgjedhore. Një grup njerëzish që nuk i voton as shtëpia e vetë, po bëhen gati t’i japin Ramës votat për të mbyllur listat, në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim të aspiratës së qytetarëve për një Reformë të vërtetë zgjedhore që fuqizon ata dhe u jep mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Harruan kërkesat për koalicionet, harruan rekomandimet e OSBE/ODIHR, e vetmja gjë që Berisha i kërkoi Ramës është vijimi i pazarit të 2008-ës, që fuqizon ata dhe klientelën e tyre ekonomike, ndërsa varfëron familjet shqiptare dhe largon rininë.
Ne qëndrojmë të vendosur kundër këtij pazari të turpshëm mes Ramës dhe Berishës, dhe kemi depozituar një amendament që u lejon partive të zgjedhin nëse duan të mbajnë listat e mbyllura apo t’ju ofrojnë qytetarëve lista 100% të hapura.
Edi Rama nuk i ka votat për t’i mbyllur listat, atij i duhen votat e Berishës, ndaj thirrja jonë është për deputetët opozitarë, që të mos bëhen dele në therroren e fundit të tranzicionit. Por, të ngrihen në lartësinë e kohës, të fuqizojnë qytetarët dhe të ripërtërijnë demokracinë përmes votës për amendamentin tonë, sepse Shqipëria meriton më shumë!”