Deputetët turistë!

Nga Alban Daci

Emigrantët shqiptarë prej vitesh janë ndjerë të braktisur nga deputetët apo politikanët e tyre!

Emigrantët janë ndjerë të braktisur kur morën anijet në fillim të viteve ’90 ku të pa shpresë, të kequshqyer, të uritur, të privuar nga liria ju drejtuan të panjohurës, emigracionit dhe shpresës të vetme për një jetë më të mirë!

    Emigrantët janë ndjerë të braktisur në radhët e gjata të pritjeve në aeroporte e porte e ndërkohë diplomatët, politikanët dhe deputetët kalonin në zonën e pasaportave diplomatike, me makina diplomatike pa ngritur zërin njëherë të vetme për bashkëkohësit e tyre.

    Emigrantët shqiptarë janë ndjerë të braktisur kur kanë qëndruar në radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit për t’u pajisur me leje qëndrimi e ndërkohë nuk mungonin rastet kur politikanët e deputetët i takonin nëpër qendrave tregtare duke bërë shopping në dyqanet e markave.

    Emigrantët janë ndjerë vetëm e të braktisur kur udhëtonin me gomone në ditët e janarit nën shoqërimin e vetëm të hënës.

    Emigrantët shqiptarë janë ndjerë të braktisur dhe vetëm, kur kishin nevojë të ndërtonin çdo gjë nga e para për të gjetur punë, për të gjetur një strehë diku me qira e diku si të ftuar në banesat e miqve të tyre.
    Emigrantët janë ndjerë vetëm e të braktisur, sepse zëri i tyre nuk i përfaqësua asnjëherë në kuvend nga deputet dhe asnjëherë nuk i folë për problemet, sfidat dhe të drejtat e tyre.

    Emigrantët janë ndjerë të harruar dhe të tradhtuar nga klasa politike shqiptare sa herë janë kthyer në Shqipëri dhe janë përballur me burokraci dhe me sfida të tjera.

    Megjithatë, tashmë që emigrantët do të votojnë, krejt papritur e me siguri vetëm për dy muaj i kthyen në qendrën e vëmendjes e pikërisht këtyre deputetëve që sot kanë nevojë për votën e tyre për të rikonfirmuar karrike e tyre të deputetit.

    Ajo që bie në sy në këtë fushatë të deputetëve ose politikanëve në jashtë është fakti se këta vijnë nga një realitet që kanë harruar zonat nga ku janë zgjedhut e tashmë duan t’u mbushin mendjen edhe emigrantëve se do të jenë përfaqësues të tyre serioz.

    Pra, serioziteti i tyre duket krejt qartë edhe në raport me emigrantët kur shikon e kupton se ata kanë shkuar ose nuk kanë shkuar as dy herë në zonat ku janë zgjedhur që kur kanë marrë mandatin.

    Tashmë vota e emigrantëve u ka dhënë mundësi deputetëve e politikanëve që të bëjnë për dy muaj fushatë turistin me kohë të plotë me justifikimin duke takuar emigrantët edhe pse eksperiencat dhe modelet e tyre jetësore nuk kanë asnjë lidhje me këta të fundit.

    Politikanët dhe deputetët mendojnë ose aludojnë se do të sigurojnë votën e atyre emigrantëve me nga një takim që bëjnë që nuk zgjatë më shumë se një orë e pastaj do të kthehen përsëri në jetën e tyre komode në Tiranë për të mos menduar më edhe për katër vitet e tjera.

    Bëhet një garë e madhe kush takon me shumë emigrantë ose kush bën më shumë takime për të treguar përballë liderit se po punojnë për pasojë meritojnë të jenë në listat e garantuara për mandatin e radhës.

    Mes këtyre politikanëve e deputetëve që vijnë e takojnë emigrantë nuk mungojnë as ata që kur kishin pushtet i mbushën selitë diplomatike me të afërmit e tyre e ndërkohë të rinjtë shqiptarë që shkolloheshin në perëndim që nuk ishin as të nënës e as te njerkës mbeteshin në mëshirën e fatit dhe forcat e tyre.

Artikulli paraprakVrasja në vitin 1990 nga policia sekrete, që provokoi protestën e parë antikomuniste! Historia e Beqir Nexhipit, i cili u largua nga Çamëria dhe gjeti vdekjen nga diktatura
Artikulli tjetërBIRN: Incineratori i Tiranës lë pas një gropë me 47 milionë euro borxhe dhe parapagime