Deputeti i PD, Salianji ngre alarmin: Kriminelë që kërkohen nga Spanja po përdoren nga PS

Në fjalën e tij në Kuvend Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka bërë një deklaratë të fortë ku tha se persona të kërkuar nga Spanja të akuzuar apo të dënuar për krime, punojnë në fushatat zgjedhore për PS-në. Kjo taktikë tha Salianji po përdoret dhe për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

”Sot po bëhet një teatër tjetër i shëmtuar për të shmangur vëmendjen nga afera më e madhe korruptive e këtij momenti, afera më e madhe korruptive e qeverisë shqiptare, e cila ka detyruar Edi Ramën që të struket, që të fshihet, që të mos dhe të mos vijë në parlament. Ka tre javë që nuk vjen në parlament, sepse në këto 3 javë diskutimi kryesorë, çështja kryesore është afera korruptive e inceneratorëve apo djegësave.
Mos harrojmë që Edi Rama dhe ky grup parlamenatar, bashkë me ata tjerët që ishin kandidat, e hapën fushatën për t’i vendosur gjoksin aferës së inceneratorëve në Elbasan. Kjo ishte nisja e fushatës së PS-së, jo vetëm për të treguar që Edi Rama i vendoste dhe i dilte për zot kësaj pune, por për të përfshirë të gjithë grupin parlamentar të PS dhe të gjithë zyrtarët e PS dhe padiskutim për të intimiduar drejtësinë dhe për të treguar që ky është ai që është vendimmarrësi në këtë aferë. Nuk ka njeri tjetër përveç Edi Ramës, që mund të bëjë bashkë 4 ministra, 3-4 bashki. Që mund të bëjë bashkë të gjithë zyrtarët e këtij shteti për të vendosur në dispozicion të vetes më shumë se 430 mln euro, të cilat shpërndahen pastaj për të blerë e vjedhur zgjedhjet, dhe për t’i mbyllur aksesin opozitës në media dhe për të intimiduar e blerë cilindo prej ministrave të përfshirë që mos kenë asnjë mundësi të flasin.
Pra, kjo aferë u tentua të mbyllej edhe në komision. Komisioni u mbyll në fakt, ndryshe nga sa u tha nga një parafolës. Afati i komisionit u shty për shkak të insistimit të opozitës, për shkak të kërkesës së opozitës në Komisionin e Rregullores dhe padiskutim u shty edhe për shkak të presionit të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Dhe duhet ta themi, ashtu siç duhet të themi të vërtetën tjetër, ne nuk mundet të jemi hipokritë siç është PS, kur thotë që ne e kemi besimin te drejtësia dhe është e pavarur kur është në favor të tyre, dhe nuk e kanë besimin tek drejtësia kur është kundër tyre. Mos harroni se për besueshmëri nuk mund të flisni dot. Jeni të pabesueshëm dhe jeni të kapur të pabesueshëm nga dita e parë deri në ditën e sotme, në vendimin e sotëm. Keni thënë që nuk ka kanabis në Shqipëri, se kanabizimi është një fenomen që ekziston vetëm në kokën e opozitës dhe që është një krimi, krimi, droga droga. Sot, njërin prej ministrave, ministrin më të suksesshëm të kësaj qeverie, për ju dhe për Edi Ramën dhe për socialistët, e keni bërë kurban sepse ai nuk është vetëm një projekt i tij. Padiskutim që kjo mund të jetë fillim i mbarës por nuk është ai përgjegjësi kryesor.
E pamë në arrestimin e gjeneral Lisit në Itali, se si ishte i përfshirë në aferë dhe në korrupsion dhe në përfshirje me sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë. Me njeriun më të afërt të Edi Ramës, me të njëjtin njeri dhe të njëjtin individ dhe të njëjtin zyrtarë të lartë të këtij shteti që del edhe në aferën e inceneratorëve, po njësoj. Keni insistuar në çdo akt politik dhe keni dalë në mashtrim, sic përdorët ata të parlamentit të kaluar dhe tymnajën me Presidentin, se e thatë ‘festë demokracie’, po sot çfarë është gjykatë e pavarur? Sot rrini me kokën ulur, dhe ashtu duhet të rrini se përdorni parlamentin me afera korruptive.
Fermerët e Korçës dhe Devollit dalin për të protestuar për bukën e gojës, ndërsa 430 mln euro merren nga xhepat e shqiptarëve, hiqen nga ndihma ekonomike e KEMP-i, vidhet me inceneratorët, nga të katër anët nga qeveria gjobitet biznesi i vendosen kasa fiskale. Ne kemi votuar e do votojmë pro, për një marrëveshje ndërkombëtare. Kjo marrëveshje e ardhur nga partnerët, vjen si shqetësim i vendeve të BE për rritjen e kriminalitetit.
Ne jo vetëm eksportojmë krim në Evropë, por edhe e mbrojmë. Nuk ju ekstradojmë, nuk ju çojmë atje, vetëm punoni për PS. Gjendja e kriminalitetit del në çdo media kombëtare, gjeneral Lisi, kanabisi me Tahirin, gjendja e kriminalitetit.”

Exit mobile version