Deputeti italian Nuti letër qeverisë Rama: Ku i çuat 1300 kontenierët?

Ku shkuan 1300 kontenierët e mbushur me plehra? Në Maqedoni ku duhej të shkonin apo janë groposur në Shqipëri?
Pas kërkesës për një hetim shtetëror në lidhje me këtë skandal që ka përfshirë tri shtete, Italinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, deputeti italian Riccardo Nuti nuk është ndalur vetëm me fjalën e tij në Parlament.
Anëtari i Komisionit të Antimafias në Parlamentin italian ka nisur 3 letra për të marrë informacion. Njërën ia drejton qeverisë shqiptare me anë të ambasadës në Romë, tjetrën qeverisë së Maqedonisë, sërish nëpërmjet ambasadës në Romë dhe letrën e tretë për të kërkuar informacion Nuti ia ka drejtuar kompanisë italiane, FLC Ambiente dhe Prefekturës së Frosinone.
Kërkoj që të di më shumë në lidhje me kontenierët e zhdukur në Shqipëri dhe për këtë arsye, përveç fjalës në Parlament i kam nisur një letër edhe ambasadores së Shqipërisë në Romë, Anila Bitri Lani, ambasadorit të Maqedonisë në Romë, Oliver Shambeveski dhe prefektit të Frosinones, Emilia Zarrilli.

Më poshtë letra e nisur për ambasadoren e Shqipërisë, Anila Bitri Lani:
Grupi parlamentar Lëvizja 5 Yjet
Deputeti Riccardo Nuti
Drejtuar: Anila Bitri Lani
Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Itali
Rruga “Asmara, 5”

Objekti: Kërkesë për informacion në lidhje me pretendimet për trafikun ilegal të plehrave nga Italia në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë

E nderuar ambasadorja Anila Bitri Lani,
Ju drejtoj këtë letër, si parlamentar i Republikës italiane në Dhomën e Deputetëve dhe anëtar i komisionit parlamentar hetimor për fenomenin e mafies dhe organizatave të tjera kriminale, përfshirë edhe ato të huaja, në mënyrë që të përcjell në vëmendjen tuaj një fakt përtej kufijve ende për t’u sqaruar, në lidhje me trafikimin e dyshuar të paligjshëm të mbetjeve që nga tokat tona do të arrinin deri në portet dhe në malet e Shqipërisë.
I referohem rreth 1.300 kontenierëve me 22 tonë secila, për një total prej 28.600 tonë, që përmbanin mbetje urbane, mbeturina industriale dhe lloje të tjera mbetjesh të rrezikshme, që në vitin 2016 do të niseshin nga Porti i Gioia Tauro, në Kalabri dhe do të mbërrinin në Portin e Durrësit në Shqipëri.
Këto kontenierë, të destinuar në pikën më të madhe të asgjësimit të Europës, në portat e kryeqytetit maqedonas, megjithatë, nuk do ta kalonin kurrë kufirin shqiptaro-maqedonas, por sipas raportimeve në media, që pasqyrojnë gjetje hetimore, do të fshiheshin në territorin shqiptar.
Flitet për raste të mundshme derdhjesh në det, duke i groposur, fshehur në infrastrukturën nëntokësore të regjimit komunist, derisa të mundësohet djegia e mundshme në ambient të hapur të mbetjeve.
E gjithë kjo paralajmëron një fatkeqësi të tmerrshme mjedisore në tokën shqiptare, pak kilometra nga kufijtë tanë dhe do të shohim vendin tonë të përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë kauzë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit dhe raportimeve të shtypit, krimi i organizuar, si italian edhe ai shqiptar mund të jetë protagonist i këtij skandali. Theksoj në këtë drejtim se prokurorët e Republikës italiane prej vitesh po hetojnë eksportin e paligjshëm të mbetjeve drejt vendeve të Ballkanit nga ana e shoqatave mafioze.
Artikujt, mes të tjerash, flasin edhe në mënyrë këmbëngulëse për mbulime të mundshme institucionale-politike të nivelit të lartë, që do të garantonin fshehjen e kontenierëve në territorin shqiptar. Pa dashur të qëndroj thjesht në riformimin e pjesshëm të fakteve gazetareske, duket të paktën e çuditshme që rreth 30 mijë tonë mbeturina mund të merren lirisht dhe të fshihen.
Për një përshkrim më të plotë të historisë, më lejoni të theksoj ato që kam paraqitur më 15 mars 2017 në Dhomën e Deputetëve në një pyetësor për përgjigje me shkrim, të drejtuar qeverisë, n. 4- 15918, në të cilën përpiqem të përmbledh historinë dhe t’i kërkoj ministrive të ndryshme kompetente përgjegjësitë e mundshme për anën italiane.
Në linkun në vijim mund të gjeni dokumentin e
mësipërm: http://aic.camera.it/aic/scheda.html?core=aic&numero=4/15918&leg=17.
Për shkak të kësaj, shpresoj se i kam përshkruar në mënyrë të plotë dhe objektive kornizat e kësaj çështjeje të rëndë. Ju drejtohem në mënyrë që t’iu pyes për disa informacione të thjeshta për të kryer në mënyrën më të mirë detyrën time parlamentare në Komisionin parlamentar Antimafia, në optikë marrëdhënieje bashkëpunimi institucional dhe në respekt të bashkëpunimit të thellë reciprok dhe me rrënjë të miqësisë së sinqertë që ka karakterizuar gjithmonë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona:
– Në qoftë se shkarkimi i kontenierëve u zhvillua në mënyrë të rregullt;
– Cilat ishin kompanitë përgjegjëse për transportin e kontenierëve nga Porti i Durrësit me destinacion përfundimtar Maqedoninë ose të paktën, në hyrje doganore me Maqedoninë?
– Nëse është e vërtetë, kush janë mbulimet e dyshuara politiko-institucionale për të cilat ka shkruar shtypi italian?
– Cili është legjislacioni aktual shqiptar për importin e mbetjeve, si urbane, industriale, të veçanta ose të llojeve të tjera, nga jashtë dhe sidomos nga Italia? I vetëdijshëm për entitetin e informacioneve që ju kërkoj, jam gjithashtu i bindur se do e kuptoni se aktiviteti parlamentar i lidhur me këto informacione mund të jetë i rëndësishëm për të zgjidhur problematikat që na interesojnë të dy vendeve, në optikën e përmirësimit të “çështjeve publike”.
Gjithashtu jam i sigurtë dhe besimplotë në bashkëpunimin mes autoriteteve të vendeve tona për të qenë në gatishmëri për të zgjidhur në mënyrë sa më të shpejtë dhe nxjerrë përgjegjësitë e këtyre ngjarjeve dhe për të hedhur dritë mbi fenomenin e trafikut të plehrave që mund të sjellë dëme miliona njerëzve si në vendet që i eksportojnë edhe në ato që i importojnë.
Sigurisht për të gjetur mbështetje dhe ndjeshmëri të mjaftueshme për këtë çështje, pres përgjigjet tuaja dhe me këtë rast ju dërgoj edhe përshëndetjet e mia më të sinqerta.

Deputeti italian: Hetim parlamentar për plehrat

Gazeta italiane “Roma” vazhdon serinë e shkrimeve lidhur me trafikun e mbetjeve në Shqipëri dhe 1300 kontenierët e zhdukur në territorin shqiptar, rrugës për në Maqedoni. Gazeta romane i ka kushtuar një artikull të gjatë lëvizjes më të fundit të ndërmarrë nga deputeti siçilian Riccardo Nuti, i cili duket i vendosur për zbulimin e këtij misteri.
Deputeti 36-vjeçar i Lëvizjes 5 Yjet, anëtar i Komisionit Antimafia dhe i Komisionit të Çështjeve Kushtetuese, është prezantues i dhjetëra projektligjeve në Parlamentin italian dhe i është drejtuar direkt qeverisë së vendit të tij për të marrë informacione mbi atë që shtypi italian tani e quan si “rifiuti connection”.
Pasi ka bërë një paraqitje të historisë, tashmë e përsëritur në median e shumë vendeve, pasi ka kërkuar edhe nisjen e hetimit parlamentar, Nuti ka kërkuar informacione shtesë edhe nga qeveritë shqiptare e maqedonase, duke iu shkruar ambasadave përkatëse, si dhe nga prefektja e Frosinones, qyteti ku ka selinë firma italiane Flc Ambiente që menaxhon landfillin e Drislës në Shkup, ku duhej të kishin shkuar 1300 kontenierët e zhdukur në territorin shqiptar, me 28600 tonë mbetje.
Nuti ka bërë një seri të gjatë pyetjesh në kërkim të zbulimit të skandalit, çka përbën vërtet dhembje për veshët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Qeveria e këtij të fundit bëri të ditur se do të niste procesin gjyqësor për sitin “Pianeta Italia News”, duke e akuzuar për shpikje lajmesh dhe prishje të imazhit të Shqipërisë.
E ndërsa gazetës italiane përpiqet t’i mbyllë gojën me padi gjyqësore, duket se me deputetin 36-vjeçar nga Siçilia Ramës i ka ngecur sharra në gozhdë, pasi nuk mund ta trembë me kartën e gjyqit, ndërkohë që Nuti duket i vendosur t’i shkojë deri në fund çështjes, duke i kërkuar llogari edhe qeverisë shqiptare, që është fajtore më e pakta për mosveprim edhe në kushtet kur përveç shtypit, janë autoritete të sistemit të drejtësisë dhe atij politik në Itali që kërkojnë transparencë.

Provat e futjes së kontenierëve në Shqipëri

Qeveria shqiptare mohon që në Shqipëri të kenë hyrë kontenierë me lëndë kimike dhe këtë e tha edhe publikisht Edi Rama në një intervistë televizive të hënën, duke sulmuar dhe më pas thënë se do të hedhë në gjyq median italiane “Pianeta Italia News”.
Por dje kjo media italiane i është përgjigjur Edi Ramës, duke bërë publike edhe dokumentet e Portit të Durrësit dhe të Doganës së Qafë Thanës.
“Pianeta Italia News” shkruan se artikujt e saj “mbështeten mbi disa tabela, të cilët i kemi në zotërim”.
I pari, i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontenierë mallrash. Ata “nën akuzë” erdhën nga Porti i Gioia Tauros, në Kalabri.
Rreth 10 për qind e tyre ishin nisur për në Maqedoni, duke kaluar nga Porti i Durrësit në Qafë Thanë.
“Tabela të tjera që kemi në zotërim, të ardhur nga autoritetet doganore tregojnë analitikisht numrin e kontenierëve të tranzituar dhe prejardhjen e tyre. Nga të dhënat del në mënyrë të qartë që në Maqedoni kanë mbërritur vetëm 1140. Rreth 1300 mungojnë në apel, shkruan PIN që më pas pyet Edi Ramën. Pse, zoti Kryeministër, do të duhej të falsifikonim të dhëna që as nuk janë sekret e kësisoj mund të verifikohen lehtë? E pse duhet të mbrohemi nga dikush që na akuzon se kemi ‘shpikur’ një lajm, duke ditur që këto dokumente tashmë janë në duart e autoriteteve të ndryshme gjyqësore që po hetojnë ngjarjen?”.

Artikulli paraprakLlullaku gati për Kombëtaren
Artikulli tjetërSHBA: Shqipëria, e dyta në botë për pastrimin e parave