Deputeti i LSI, Gledion Rehovica dhe drejtori i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri janë denoncuar për blerje votash. Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit. Bëhet e ditur se, drejtori Rajonal i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica janë vënë nën hetim nga policia, pasi me disa punonjës të tjerë të këtij spitali, akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas Policisë së Shtetit, “shtetasi me iniciale I.F. (Idlir Frashëri) dhe deputeti G.R, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”.
Skandali u denoncua mbrëmë edhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” Basha tha se, në dijeninë e tij, “policia ka arrestuar drejtorin e Spitalit, Frashëri”, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të zbatojë ligjin edhe për deputetin Rahovica. Basha tha se po në dijeni e tij hetimi përfshin një regjistrim për blerje votash të Rahovicës dhe Frashërit.
Në një njoftim për shtyp thuhet se, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi bazën e një denoncimi, filloi procedimin penal për shtetasin Idlir Frashëri, pasi duke qenë në funksion publik të drejtorit Rajonal të Spitalit Berat, në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe deputetin e zonës Gledion Rehovica, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Policia bën të ditur se, materialet procedurale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj ka thyer ligjin elektoral, duke i detyruar punonjësit e bashkisë të dalin në fushatë. Këtë e ka bërë publike edhe në rrjetin social të tij. Petrit Sinaj i LSI disa ditë më parë ka zhvilluar takime elektorale me punonjëset e Bashkisë, duke i detyruar të jenë pjesë e takimit pavarësisht bindjes së tyre politike. Përveç kësaj, Sinaj e ka bërë publike shkeljen dhe thyerjen e ligjit. Kujtojmë që ditët e fundit ka pasur një furtunë shkarkimesh për thyerje të ligjit elektoral.