Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka thënë se bashkia e Tiranës ka ndryshuar projektin e ‘Unazës së Re’ pa u konsultuar më parë me banorët të cilët preken nga projekti dhe do u prishen shtëpitë e bizneset.
E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24, Tabaku u shpreh se ka dyshime për pastrim parash me këtë rrugë pasi fituese janë kompanitë offshore. Tabaku akuzon qeverinë dhe bashkinë e Tiranës se po prish banesat e Unazës së Re për interesa të dyshimta projektesh ndërtimore që nuk janë bërë publike.
“Dua që të shpreh mbështetjen për protesatuesit sepse janë në një kauzë të drejtë por edhe të shokuar për fjalorin e kryebashkiakut, sepse është e papranueshme ky fjalor i tillë i kryetarit të Bashkisë. Sipas projektit të miratuar nga bashkia, kjo rrugë ka qënë 26 metra dhe përcaktohej si një rrugë urbane kryesore. Ndërkohë në dokumentat e tenderit kjo rrugë bëhet 60 metra. Unë për herë të parë e pashë në dokumentat e tenderit këtë ndryshim, 60 metra.
Pyetja është a ka interesa për ndërtime në këtë zonë?! Sipas të dhënave rruga po shkon në kufi të një prone e cila pritet të zhvillohet. Ka pasur një strategji për zgjerim rrugësh , por kjo rrugë nuk ka qënë prioritare për tu zhvilluar e për tu zgjeruar. Elementi i tretë lidhet me shpronësimin. Ligji thotë që banorët nuk mund të largohen nga banesat pa marrë shpërblimin. Ka ndodhur me segmentin nga shkolla teknlogjike dhe aty u vendos edhe standarti për dëmshpërblim edhe të atyre që nuk e kishin të legalizuar pronën e tyre. Kjo rrugë duhet të ishte konsultuar me banorët. Fakti që nga shtatori e deri sot, banorëve nuk ja shkluar asnjë shkresë, iu jepet e drejta që ata të mos lëvizin nga banesat e tyre. Ndërkohë ka një element tjetër dyshimet për pjesëmarrje të kompanive ofshore në këtë projekt. Kompanitë ofshore nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në këto projekte”, tha Tabaku.