Deputetja e Vlorës firmos dorëzimin e mandatit të deputetes: Hoqëm dorë nga një privilegj, jo për pushtet por…

Deputetja e Vlorës, Nada Meçorapaj ishte ndër të parat që firmosi me dëshirë dorëzimin e mandatit të deputetes. Në një reagim në ‘Facebook’, Meçorapaj sqaron se hoqi dorë nga një privilegj, jo për pushtet por në kërkim të ndërtimit të një shteti te drejte.
“Dorëzova sot mandatin parlamentar për t’i dhëne fund shtetit te kapur, parlamentit te dale nga paratë e krimit dhe zgjedhjeve te fituara pa gare, nen dore dhe me ‘te fortët’. Ne, deputetet e PD, hoqëm dore nga një privilegj, jo për pushtet por ne kërkim te ndërtimit te një shteti te drejte”, përfundon ajo.
Përkundër presionit të faktorit ndërkombëtar, kryetari i PD-së nuk u tërhoq nga propozimi që u mbështet nga unanimisht nga Këshilli Kombëtar.
“Me vullnet të lirë deklaroj…”, dokumenti që deputetët e PD-së firmosën për dorëzimin e mandateve.

Në letrën e dorëheqjes së deputetëve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë renditen dhe arsyet e këtij vendimi.
“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi për shkak: të asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës; të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;

të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës.
Duke mbajtur në konsideratë se për këto shkaqe është krijuar një situatë e paprecedentë e krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale e mjerimit social;
Duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentar.
Unë…, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke e vlerësuar si të pamundur vijimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, në mbështetje të shkronjës ‘b’, pika 2, e nenit 71 të Kushtetutës, jap dorëheqjen e parevokueshme nga mandati si deputet në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Opozita vendosi të djegë mandatet si e vetmja rrugë e mbetur për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që do t’i hapnin rrugë vendit drejt integrimit europian.
mmm

Exit mobile version