Deputetja: Shefi i komisariatit më tha, “jemi polici e urdhërave”!

Deputetja Kejdi Mehmetaj, një prej protagonisteve të përplasjeve në Kuvend, tashmë edhe e proceduar penalisht nga Policia deklaroi se mazhoranca kishte orkestruar një skenar për të provokuar opozitën në seancën plenare të së hënës, ku u zgjodh prokurorja e përgjithshme e përkohshme.
Në intervistën e mbrëmjes në “Ora News”, ajo tha e pyetur mbi procedimet e policisë ndaj saj dhe tre kolegëve të tjerë të LSI, ajo u shpreh se e priste një gjë të tillë. “Nuk u shqetësuam shumë. Nuk kemi asnjë lloj habie për situatën që ka ndodhur dje, që të mos e prisnim që sot të kishte procedim. Unë nuk e di pse e kanë bërë, as unë dhe kolegët e mi jo vetëm që nuk kemi ushtruar dhunë, por jemi dhunuar”, tha ajo.
Mehmetaj zbardhi edhe përplasjen verbale me shefin e Komisariatit të Rinasit, i cili ndaloi 8 vajza të LRI. “Isha dje në Komisariatin e Rinasit, takoj shefin e komisariatit që padrejtësisht kishte shoqëruar 8 vajza, disa prej tyre 18 dhe 19 vjeç i kishte shoqëruar me dhunë dhe fjalor fyes në komisariat me urdhër të Ramës. E pyes, cili është motivi që ti i mban dhe më tha kam marrë urdhër nga shoqëruesi kryesor i Ramës, për t’i shoqëruar. Në përfundim, pasi i liroi sërish me urdhër, i them çfarë policie jeni ju, të jep urdhër kryeministri i arreston, të jep urdhër ministri dhe i liron. Tani e kuptove që jemi polici e urdhrave, më tha. I thashë si do ndiheshe ti po t’i ndalonin fëmijët e t’u. Më tha, fëmijët e mi do t’i mësoj të mos protestojnë dhe të mos flasin.
Ndërkohë lidhur me letrën drejtuar Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, Mehmetaj tha se ka pasur edhe një komunikim me Lu. “Pata një komunikim të rastësishëm me Ambasadorin amerikan, i cili më tha ndoshta interpretimi i deklaratës së tij nuk është ai që kemi perceptuar. I tregova pamjet filmike të situatave të djeshme në Parlament, çfarë ka ndodhur me kolegen Kërpaçi, videon e ndalimit të vajzave. Nuk ishte i informuar, më tha se u informua prej letrës time mbi situatat që kishin ndodhur”, u shpreh Mehmetaj.

Artikulli paraprakVjedhja e “Armos” nga Rama dhe Beso, naftëtarët e Ballshit në protestë
Artikulli tjetërProkuroria politike e Ramës proçedon deputetët e opozitës