Derbi anglez për Marco Reus!

Ka një derbi britanik mes Manchester United dhe Arsenalit për Marco Reus, kontrata e të cilit me Borussian e Dortmundit skadon në vitin 2019. Sipas mediave gjermane, dy klubet e mëdha angleze po e monitorojnë me shumë vëmendje situatën e mesfushorit gjerman, i cili është duke u riaftësuar nga dëmtimi e ligamentit të gjurit, për t’u kthyer në fushën e blertë vetëm në fillim të vitit të ardhshëm. Është vetë 28-vjeçari i cili e pranon se po e merr në konsideratë largimin nga verdhezinjtë për të ndryshuar ambient, duke e pranuar se janë 4-5 klube të mëdha që interesohen për të. “Jam afër të 30-ve, kështu që do të kem mundësinë e fundit për një kontratë të madhe dhe për të bërë diçka ndryshe”, u shpreh Reus.
Në Gjermani këmbëngulin se “Djajtë e Kuq” dhe “Topçinjtë” kanë marrë një sinjal të qartë nga Reus dhe po duelojnë mes tyre për të siguruar shërbimet e futbollistit. Arsenali pritet të humbasë verën e ardhshme Alexis Sanchez me parametër zero, ndaj e konsideron lojtarin e kombëtares gjermane pasuesin ideal të kilianit, por edhe Jose Mourinho po e ndjek me shumë kujdes, për të përpiluar më pas një ofertë zyrtare te Borussia e Dortmundit.
Rikthimi i tij në fushë do të vonojë akoma, pasi Marco Reus parashikohet të jetë i gatshëm për Borussian e Dortmundit jo më herët se muaji mars. Dëmtimet janë bërë një pengesë e madhe për Reus në këto vite, por pavarësisht gjithçkaje 29-vjeçari gjerman nuk e ka humbur asnjëherë shkëlqimin. Tifozët e skuadrës verdhezi ëndërrojnë që Reus ta mbyllë karrierën në Signal Iduna Park, por vetë lojtari në një intervistë ka trembuar jo pak fansat e Dortmundit. Reus-it i skadon kontrata aktuale në verën e vitit 2019 dhe gjasat më të mëdha janë që ai të mos rinovojë me verdhezinjtë, pasi dëshiron ta provojë veten në një tjetër skuadër. Në 2019-tën, Reus do të ketë shansin e fundit për të firmosur një tjetër kontratë të majme dhe futbollisti i kombëtares së pançerave dëshiron të provojë diçka ndryshe.

Artikulli paraprakGianni, Shqipëria nuk është e zhytur por e mbytur!
Artikulli tjetërCity e Arsenal kalojnë me vështirësi