Derbi i bomberave argjentinas

Të dielën do të luhet derbi i Milanos, mes Interit dhe Milanit. Në “San Siro” do të jetë e fokusuar jo vetëm vëmendja e tifozëve të dy skuadrave në fjalë, por edhe të dashamirësve të futbollit në mbarë globin. Kjo, për faktin se e një rëndësie të tillë është kjo përplasje, pavarësisht qasjes aktuale të kuqezinjve dhe zikaltërve, që e shohin veten minimalisht një hap mbrapa Juventusit.
Do të jetë një ballafaqim total mes lojtarëve në fushën e blertë, mes trajnerëve në stolat respektivë, edhe mes dy tifozërive të zjarrta, që gjithmonë në derbi i “vënë flakën” stadiumit e jo vetëm. Mediat italiane, por jo vetëm, e kanë parë derbin e së dielës edhe si një “tango argjentinase”, duke iu referuar sulmuesve në të dyja kahjet: Mauro Icardi dhe Gonzalo Higuain.
Mes të dyve (pjesë e Albiceleste) do të jetë derbi i parë milanez. Në të kaluarën ata janë vendosur ballë për ballë, por jo duke mbrojtur ngjyrat e të njëjtin qytet. Higuain ka përfaqësuar fanellat e Napolit dhe Juventusit, më parë, në Seria A, ndërsa Icardi është besnik i ngjyrave zikaltër (pa harruar eksperiencën e një sezoni te Sampdoria, por atëherë nuk ishte i njohur).
Pra, do të jetë një derbi bomberash argjentinas, ai i së dielës, në “San Siro”, veç të tjerash. Në funksion të këtij këndvështrimi, po përmbledhim në infografikun shoqërues të këtij shkrimi edhe sa “peshon” njëri e tjetri në skuadrat respektive. Për këtë kampionat, Icardi ka shënuar 3 gola, ndërsa Higuain 4 gola. Ky i fundit është një hap para, edhe pse debutues me Milanin.
Edhe sa iu takon pasimeve të sakta (të suksesshme), “Pipita” qëndron më lart, me 88%, përkundrejt 71% të kapitenit zikaltër. Edhe në shifrat e tjera specifike të futbollit, sikurse janë driblimet, krosimet, goditjet në portë, bie në sy epërsia e Higuain.
Kujtojmë se ky krahasim ka në bazë aktivizimin e tyre, i cili është i tillë: Mauro Icardi ka luajtur në 6 ndeshje të Seria A, për këtë sezon, ose ose 486 minuta lojë. Nga ana e tij, Gonzalo Higuain ka qenë prezent në 5 ndeshje të kuqezinjve, me 450 minuta lojë aktivizim. A do të kenë ndikim të dielën këto “valenca” të dy bomberave argjentinas në derbin e “San Siros”? Këtë mbetet ta tregojë fusha e lojës, por si një pikënisje për prognozë mund të shërbejnë…

Exit mobile version